Amerikani Paul Whelan dënohet me 16 vjet heqje lirie në Rusi

Amerikani Paul Whelan dënohet me 16 vjet…

Një gjykatë ruse dënoi me 16 vjet heqje lirie një amerikan nën akuzat për spiunazh, një dënim që ai e cilësoi si politik. Gjykata e qytetit Moskë shpalli të hënën dënimin për Paul Whelan nën akuzat për spiunazh dhe e dënoi atë me 16 vjet heqje lirie në një burg të sigurisë maksimale.

Paul Whelan ka këmbëngulur në pafajësinë e tij, duke thënë se procesi ndaj tij ishte “i montuar”. Ambasada e Shteteve të Bashkuara e dënoi procesin gjyqësor ndaj zoti Whelan si të padrejtë, duke theksuar se nuk është siguruar asnjë provë.

Ambasadori amerikan në federatën Ruse, John J. Sullivan u tha gazetarëve jashtë gjykatës se ishte i “zemëruar” nga vendimi.

“Ai u dënua me 16 vjet pa asnjë prove. Nuk kishte asnjë provë të paraqitur nga gjykatësi që arsyetonte masën e paraburgimit së cilës ai i është i nënshtruar për një vit e gjysmë”, tha ambasadori Sullivan, duke i përshkruar procedurat gjyqësore si një “tallje me drejtësinë”.

Vëllai i Paul Whelan, Davidi tha se avokatët do të apelojnë vendimin që ai e cilësoi si politik. “Ne kishim shpresuar se gjykata mund të tregojë njëfarë pavarësie, por, në fund të fundit, gjykatësit rusë janë subjekte politike, jo juridike. I kërkojmë qeverisë amerikane që menjëherë të ndërmarrë hapa për ta sjellë Paulin në shtëpi”, tha ai.

Paul Whelan, një ish-marins i cili punonte si drejtor për Sigurinë Globale në kompaninë e furnizimit me pjesë makinash me bazë në SHBA, BorgWarner, u arrestua në dhjetor të vitit 2018, pasi pranoi të merrte nga një i njohur një usb, ku kishte menduar se ndodheshin foto nga pushimet. Autoritetet ruse thonë se në usb ndodheshin materiale të klasifikuara./VOA/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit