Ami Kozeli i jep 9.1 milionë euro Çim Fushës për të mbjellë bar në utostradë

Ami Kozeli i jep 9.1 milionë euro…

Autostrada Tiranë–Durrës do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje për përmirësimin estetik dhe plotësimin e punimeve, por pas këtij projekti fshihet sërish skema e mirënjohur e tenderave publikë ku ofertat më të lira skualifikohen pa mëshirë. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), nën drejtimin e Ami Kozelit, ka mbyllur procedurën për tenderin me fond limit prej 1,316,400,115 Lekë pa TVSH (rreth 13.1 milionë euro) për segmentin nga sheshi “Shqiponja” deri tek nënkalimi i Limuthit.

Ajo që bie në sy nga dokumentet zyrtare të tenderit është skualifikimi i ofertës më të lirë, duke ia kaluar fitoren bashkimit të operatorëve ku bën pjesë kompania “Fusha” e biznesmenit Shkëlqim Fusha, aktualisht nën hetim nga SPAK.

Skualifikohet oferta më e lirë prej 9.1 milionë eurosh

Sipas dokumenteve të procedurës, në garë janë paraqitur dy oferta kryesore:

  • Oferta më e lirë: Bashkimi i operatorëve “I.D.K-KONSTRUKSION” & “ELMAZAJ KONSTRUKSION”, të cilët ofruan vlerën prej 898,903,600 Lekë pa TVSH ose rreth 9 milionë euro. Kjo ofertë u skualifikua duke u vlerësuar me 0 pikë.
  • Oferta fituese: Bashkimi i operatorëve “FUSHA” SHPK & “UDHA” SHPK & “TAULANT” SHPK, të cilët u shpallën fitues me ofertën prej 908,396,807 Lekë pa TVSH ose rreth 9.1 milionë euro, duke marrë 278.85 pikë.

Ky skualifikim i ofertës më të ulët e cila ishte rreth 9.5 milionë Lekë ose rreth 95 mijë euro më e lirë se ajo e “Fushës”, ngre sërish pikëpyetje të mëdha mbi përdorimin e kritereve teknike si “filtër” për të paracaktuar fituesin e dëshiruar.

ARRSH e Ami Kozelit “furnizon” sërish emrat nën hetim nga SPAK

Ky vendim i ARRSH-së nën drejtimin e Ami Kozelit nuk është një rast i izoluar, por vijon traditën e dhënies së miliona eurove nga taksat e qytetarëve për oligarkët që janë nën shënjestrën e drejtësisë. Pas tenderave të Bypass-it të Elbasanit që shkuan për kompanitë e Pëllumb Salillarit dhe Artan Sakos, të dy nën hetim nga SPAK, radhën e kishte sërish Shkëlqim Fusha.

Emri i Shkëlqim Fushës është përfshirë zyrtarisht në hetimet e SPAK-ut në dosjen që lidhet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ku ai akuzohet për “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Hetimet lidhen me dyshime për transaksione të fshehta financiare dhe kamuflim përfitimesh përmes organizatave joqeveritare.

Pavarësisht këtyre dritëhijeve të rënda ligjore, subjekti “Fusha” vijon të renditet e para në listën e Open Data Albania si kompania që ka përfituar më shumë fonde publike gjatë 11 viteve të fundit në Shqipëri.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit