Mes emrave më të njohur që lirohen nga amnistia penale janë Rozeta Dobi, ish-sanitarja e Alda Klosit, e dënuar për vjedhjen e banesës së saj, si dhe Erisa Fero, ish-specialistja e AKSHI-t e arrestuar në vitin 2022 me 58 kilogramë kanabis. Të dyja përfitojnë nga ligji për amnistinë, zbatimi i të cilit nis sot dhe prek mbi 1,300 të dënuar, ndërsa 541 prej tyre lirohen menjëherë.
Rozeta Dobi u arrestua në janar të vitit 2023 së bashku me djalin e saj, Havier Dobi, pasi akuzoheshin për vjedhjen e banesës së Alda Klosit, ish-drejtoreshës së Arben Ahmetaj, në rrugën “e Kosovarëve”, ku ajo punonte si pastruese. Gjatë kontrolleve në banesën e tyre, policia sekuestroi qindra mijëra euro, mijëra dollarë, qindra mijëra lekë, bizhuteri floriri dhe automjete të dyshuara si të blera me paratë e vjedhura. Në një rikontroll u zbuluan edhe 404,800 euro, 8,500 dollarë dhe aksesorë floriri të fshehur në tubin e aspirimit të banesës. Dobi u dënua me 4 vite e 8 muaj burg.
Erisa Fero u arrestua në dhjetor të vitit 2022 në afërsi të kufirit me Maqedoninë e Veriut, teksa transportonte 58 kilogramë kanabis. Në atë kohë ajo ishte specialiste në AKSHI dhe, sipas hetimeve, dyshohej se ishte pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës që e transportonte lëndën narkotike nga Shkodra drejt Pogradecit e më pas në Maqedoninë e Veriut. Emri i saj ishte bërë i njohur edhe më herët, pasi ishte kallëzuar nga KQZ për manipulim të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.