Ana shkoi në Vlorë për të festuar fejesën, por nuk u kthye më në shtëpi

Ana shkoi në Vlorë për të festuar…

Ana Dyrmishi, 25-vjeçarja që pësoi djegie në rreth 85% të sipërfaqes së trupit si pasojë e zjarrit në hotelin “Brooklyn” në Vlorë, ka ndërruar jetë në një spital në Turqi.

E reja, e cila jetonte në Durrës, do të përcillet sot për në banesën e fundit nga familjarët dhe miqtë, mes dhimbjes dhe pikëllimit për humbjen e saj.

Ana kishte udhëtuar drejt Vlorës së bashku me të fejuarin e saj, Arnaldon, për të festuar ditën e parë zyrtare pas fejesës. Ajo që duhej të ishte një arratisje e bukur për çiftin u kthye në një tragjedi mëngjesin e 16 gushtit, kur hoteli në zonën e Lungomares u përfshi nga flakët.

Zjarri i detyroi pushuesit të kërkonin me çdo kusht një rrugëdalje. Në përpjekje për t’i shpëtuar flakëve dhe tymit, disa prej tyre u detyruan të hidhen edhe nga ballkonet e godinës.

Ana Dyrmishi u dërgua fillimisht për trajtim mjekësor në Shqipëri, ndërsa më pas, me mbështetjen e qeverisë shqiptare, u transferua në Turqi për të marrë një trajtim më të specializuar. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 25-vjeçarja nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda.

Në të njëjtën ngjarje u plagos rëndë edhe i fejuari i saj. Arnaldoni pësoi djegie në rreth 35% të trupit dhe, sipas familjarëve, është dërguar në Itali për të vijuar trajtimin e specializuar.

Hetimet për ngjarjen kanë përcaktuar se zjarri dyshohet se nisi në katin e parë të hotelit, si pasojë e një defekti në prizën elektrike të frigoriferit. Në momentin e ngjarjes, në “Brooklyn Hotel”, në pronësi të Manushaqe Abazit, ndodheshin edhe pushues të tjerë, përfshirë shtetas të huaj, të cilët fatmirësisht arritën të shpëtonin pa dëmtime.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit