Analiza/ Plani B nëse të gjithë dështojnë të gjejnë vaksinën anti-covid

Analiza/ Plani B nëse të gjithë dështojnë…

E gjithë bota shkencore, kompanitë farmaceutike dhe qeveritë janë të angazhuara për të gjetur një vaksinë efektive të koronavirusit me investime miliarda dollarë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Por ekziston një mundësi e dytë që nuk diskutohet shumë, që asnjë vaksinë nuk do të zhvillohet kurrë. Në vend që ta bëjmë virusin të zhduket nga faqja e tokës me një injeksion, hipoteza që ne do të duhet të mësojmë të jetojmë me të (nëse jo përgjithmonë, për një kohë të gjatë), është një mundësi shumë konkrete.

Njoftime për çdo hap të vogël të hedhur përpara në gjetjen e një mënyre për të imunizuar botën nga Sars-Cov2 po dëgjojmë ditë pas dite. Aktualisht janë në proces 101 eksperimente. Shumë ekspertë konsiderojnë seriozisht mundësinë që zgjidhja të mos vijë asnjëherë. Ose ka më shumë të ngjarë që do të vijë, por jo aq shpejt siç mund të presë dikush. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Vështirësitë

Për dallim nga HIV dhe malarja, koronavirusi nuk pëson ndryshime të mëdha dhe ky mbetet detaji për të cilin shpresojnë shumica e shkencëtarëve. Anthony Fauci, imunologu i grupit punues të Shtëpisë së Bardhë foli për daljen e vaksinës në 18 muaj. Shkencëtarë të tjerë janë më të kujdesshëm sepse trupi i njeriut është një sistem biologjik dhe jo mekanik ndaj varet shumë nga mënyra se si reagon organizmi. Në procesin e prodhimit, pjesa më e vështirë është të tregosh që vaksina funksionon dhe është e sigurt: nuk mund të rrezikosh të futësh në trup diçka që në vend të të mbrojë, shkakton efekte anësore. Teknika për prodhimin e vaksinave është e larmishme, ka periudha të ndryshme në faza të ndryshme dhe sigurisht që përfundimi i hulumtimit në një vit e gjysmë do të ishte një sukses i paarritur kurrë më parë.

“Ka njëqind projekte në studim me teknika të ndryshme, secila prej të cilave ka avantazhe dhe disavantazhe. Ne nuk e dimë nëse apo cili kandidat do të arrijë rezultatin e dëshiruar” – thotë Sergio Abrignani, imunolog në Pathology State Milano.

“Në një kohë normale duhen 5 deri në 10 vjet, me një mesatare prej 8 vjetësh për të arritur që në farmaci të ketë vaksina. Në përvojën time, pavarësisht nga të gjitha shkurtesat e nevojshme, do të jetë e vështirë të kemi një vaksinë para 2 vitesh, nëse duam të jemi të sigurt për dy gjëra themelore: se është e sigurt dhe shkakton imunitet mbrojtës afatgjatë. Kur dëgjoj për një vaksinë të gatshme për në shtator, kjo është fantastiko-shkencore për mua, dhe unë do të doja të provohej që jam i gabuar” – thotë ai.

Për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë që qeveritë të mendojnë edhe për një “plan B” për të bashkëjetuar më gjatë me virusin.

Kur vaksinat nuk funksionojnë

Në 1984 në Uashington u bë njoftimi se ishte identifikuar një virus i ri që u bë i njohur si HIV dhe sekretarja e atëhershme e shëndetit Margaret Heckler bëri parashikimin se vaksina do të ishte e gatshme për testim brenda 2 viteve. Sot numërohen 32 milionë vdekje dhe bota ende pret vaksinën.
Vështirësitë janë të natyrshme për këtë virus, i cili ndryshon vazhdimisht, madje edhe gjatë një infeksioni të vetëm. Për fat të mirë, Covid-19 nuk duket se i ka këto karakteristika dhe kjo i bën ekspertët më optimistë. Sëmundje të tjera kanë dhënë probleme me vaksinën.

Midis viteve 2015 dhe 2016 u publikua vaksina e parë kundër etheve Dengue, një sëmundje që vret rreth 400 mijë njerëz në vit, por në vitin 2017 ajo u pezullua sepse u zbulua se simptomat e sëmundjes përkeqësoheshin.

U deshën 28 vjet që ndaj virusit Papilloma 15 të kishte një vaksinë. Vaksinat kundër rinoviruseve dhe adenovirusëve që janë njëlloj si koronaviruset nuk janë zhvilluar kurrë (vetëm një vaksinë ka kundër dy shtameve të adenovirusit, por jo në formë komerciale). Deri më tani, një vaksinë kundër një koronavirusi nuk është testuar kurrë: ato kundër Sars u braktisën në mes të studimeve, sepse sëmundja u zhduk brenda disa muajsh. Sars dhe Sars CoV 2 kanë 80% të trashëgimisë gjenetike dhe lidhen në të njëjtën mënyrë me një receptor specifik që gjendet në qelizat e mushkërive. Kjo shpjegon pse shkencëtarët zhvilluan fazat e hulumtimit të testit kaq shpejt. Ata kishin një avantazh të vogël.

Fazat e prodhimit

Roben van Exan, biolog i qelizave i cili ka punuar në sektorin e vaksinave për dekada, i intervistuar nga New York Times parashikon që nuk do të ketë miratim të vaksinës para 2021-2022 dhe ky sipas tij “është një parashikim optimist, me probabilitet shumë të ulët, por ia vlen të provohet”. Si rregull, studiuesit kryejnë kontrolle të rrepta sigurie përpara se të provojnë vaksinat eksperimentale.

Gjatë fazës së parë vaksina testohet te një duzina njerëzish; disa qindra në fazën e dytë dhe mijëra të tjerë në fazën e tretë. Duhet të kalojnë muaj nga një fazë në një tjetër në mënyrë që studiuesit të mund të rishikojnë të gjitha rezultatet para se të kalojnë në një fazë pasuese. Është e qartë se për të arritur një rezultat brenda 18 muajsh, fazat duhet të digjen.

Nëse një vaksinë është efektive në testet e para, Autoritetet Shëndetësore mund të pranojnë përdorimin në raste urgjente (kur ka prova që një ilaç mund të funksionojë, nuk është i dëmshëm dhe nuk ka mjete terapeutike dhe profilaksi tjetër për të provuar për të ndërhyrë në një epidemi) si për mjekët dhe infermierët edhe para fundit të vitit, pasi studiuesit e Oksfordit njoftuan se po studiojnë vektorë viralë duke injektuar një virus “të rremë”. Sidoqoftë, vetëm pas qindra vaksinimeve studiuesit do të jenë në gjendje të tregonin nëse vaksina e përshpejtuar ka efekte anësore.

Në nyjën e prodhimit

Pasi të gjendet një vaksinë funksionuese, kompanitë do të duhet të prodhojnë miliona, ndoshta miliarda doza, përveç vaksinave të tjera që prodhohen çdo vit siç janë fruthi, shytat, gripi. Kompanitë normalisht ndërtojnë struktura të reja të përshtatura për çdo vaksinë dhe në përgjithësi duhen rreth 5 vjet për t’i ndërtuar sepse ato ndjekin udhëzime të rrepta. Në këtë drejtim, Bill dhe Melinda Gates Foudation ka njoftuar se do të ndërtojë fabrika për 7 lloje të ndryshme vaksinash në mënyrë që të mos humbasin kohën. Por detyra e prodhimit i bën studiuesit të kalojnë netët pa gjumë. Madje edhe futja e vaksinës në shishka kërkon kohë.

“Prodhuesit duhet të marrin miliarda shishka dhe miliarda kapakë për t’i vulosur”, – tha për New York Times, Vijay Samat, ish-drejtori i prodhimit të vaksinave në Merck.

“Për t’i mbushur ato me saktësi, nevojiten makina të sofistikuara dhe çdo shishkë që montohet në një linjë me shpejtësi të lartë duhet të inspektohet. Pasi të jenë gati, ato duhet të ruhen, transportohen dhe shiten në temperatura të kontrolluara”.

Nuk është rastësi që në fazat e ndryshme të krijimit të një vaksine, prodhimi është faza me kohën më të gjatë. Shpresa në garën kundër kohës vjen nga një lloj i ri i vaksinave të ARN-së Messenger (Mrna). Në vend që të injektojnë antigjene specifikë të sëmundjes për të stimuluar prodhimin e antitrupave, këto vaksina i japin trupit udhëzime për të krijuar vetë antigjenet duke injektuar një gjen sintetik në qeliza.

Ky sistem nuk kërkon viruse ose baktere në rritje dhe është më i lehtë dhe më i shpejtë për tu prodhuar. Problemi është se asnjë vaksinë mRNA nuk është aprovuar deri më tani. Kompania “Moderna” sapo ka hyrë në fazën e dytë me këtë lloj vaksine. Mund të funksionojë, por faza e aprovimit mund të jetë më e gjatë. Nga ana tjetër, askush nuk ka bërë kurrë një vaksinë ARN për njerëzit. Deri më tani janë krijuar vaksina me këtë teknikë për gripin, Ebolën, toksoplazmozën, zikën, por vetëm për kavie.

Miratimi

Faza e aprovimit të një vaksine nuk është thjesht një formalitet (për çdo shkencëtar të Administrimit të Ushqimit dhe Barnave ka 3 avokatë). Studiuesit nga institucione të ndryshme si Ema, Aifa, Administrata e Ushqimit dhe Barnave duhet të jenë të sigurt se vaksina është e sigurt dhe efektive siç pretendojnë prodhuesit farmaceutikë duke analizuar hollësisht studimet e ndryshme.

Nëse fazat e ndryshme mund të përshpejtohen, kjo procedurë mund të zgjasë deri në një vit. Historia për fat të keq na mëson se njeriu duhet të jetë i kujdesshëm. Në vitet 1950, një vaksinë poliomieliti e prodhuar keq, u aprovua brenda disa orësh. Ajo përmbante një version të virusit që nuk ishte plotësisht i vdekur dhe pacientët u kontaminuan me poliomielit. Disa fëmijë vdiqën.

Plani B

Nëse vaksina nuk gjendet shpejt, ka shumë të ngjarë që Sars-CoV 2 të na bëjë shoqëri për shumë vite dhe ne do të duhet të jetojmë me një sëmundje që nuk mund të eliminohet. Falë antiviraleve, HIV është bërë një sëmundje kronike dhe nuk është më një “dënim me vdekje” siç ishte në vitet ’80. Shkencëtarët po punojnë gjithashtu me Covid-19 për të gjetur shërim me ilaçe të vjetra dhe të reja, por studimet janë në fazat e hershme, në shumë raste duke punuar me prova empirike në këtë fushë. Po studiohet përdorimi i Remndesivirit, ilaçit anti-Ebola, trajtimet me plazmën e gjakut, përdorimin e Hidroksilklorinës, e cila, megjithatë, duket se shkakton aritmi të zemrës dhe çrregullime të klorokinës, të dobishme në fazat fillestare të sëmundjes.

271 terapi janë nën studim, por më pak se 10% e provave klinike janë aprovuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave. Pjesa tjetër ka dështuar sepse nuk janë efektive, ose nuk janë më të mira se ilaçet ekzistuese apo kanë shumë efekte anësore. Të jetosh me virusin gjithashtu do të thotë të revolucionarizosh jetën tënde. Vendosja e maskës nuk do të jetë aq e pazakontë në krahasim me mbajtjen e telefonit celular me vete. Një kollë mund të shihet si një kërcënim.

Amesh Adalja nga Qendra Universitare e Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore tha se “tetori 2020 nuk do të duket aspak si tetori 2019”. Skenarët e mundshëm janë të shumtë: nga një projeksion i qindra mijëra vdekjeve deri në gusht, deri në valë të zgjatur me shpërthime të Covid 19 për të paktën 2 vjet. Në afat të shkurtër nuk pritet që gjithçka të kthehet menjëherë si më parë. /Lapsi.al

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit