Analizohet betoni i përdorur në ndërtesat e shembura në Turqi, gjenden guralecë, gazeta dhe bukë peshku

Analizohet betoni i përdorur në ndërtesat e…

Autoritetet turke janë shokuar kur kanë zbuluar se nga çfarë përbëhej betoni i përdorur në ndërtesat e shembura nga tërmeti. Disa nga analizat janë kryer në laboratorin e betonit dhe dheut të Bashkisë Kadioy.

Në strukturën e brendshme të disa mostrave të betonit u vunë re materiale të tilla si copa gazetash, bukë peshku, dru i presuar apo guralecë nga guackat e midhjeve. Sasi e betonit në ndërtesa ishte minimale dhe gjithçka në strukturën e ndërtimit duket si një fasadë që mund të rrëzohej edhe pa qenë nevoja e një tërmeti.

Pas publikimit të këtij lajmi, është rritur edhe kërkesa për analizimin e ndërtesave pranë këtij laboratori. Kanë qenë banorët e shtëpive të reja apo të vjetra, të dëmtuara nga tërmeti, për të analizuar se me çfarë përbëhet banesa e tyre, raporton CNN Turk.

Banorët janë ndier të pasigurtë për të rihyrë në banesat e dëmtuara, pasi panë se çfarë katastrofe u shkaktua nga lëkundjet sizmike. Ndërkohë inxhinierët e ndërtimit që po merren me analizimin e ndërtesave dhe cilësisë së betonit, thonë se në ndërtesat e vjetra nuk është ruajtur asnjë standard pune.


“Edhe pse cilësia e betonit ndryshon sipas numrit të kateve, ne zakonisht marrim mostra nga bodrumet dhe katet hyrëse të ndërtesave. Kur banorët shohin çarje serioze ose shpërthime të betonit, aplikojnë për të kryer një analizim dhe më pas autoritetet kryejnë ekzaminim të plotë. Në ndërtesat e vjetra nuk ka asnjë respektim të standardeve. Në këto struktura kemi hasur në konstruksione betoni të cilësisë së dobët.


Në ndërtimet e reja përdoret minimalisht betoni i tipit c25. Në Kadikoy, kjo mesatare është c35-40. Në mostrat e ndërtesave të vjetra dhe ndërtesave ekzistuese, shpesh hasim copa betoni c8-c10, rërë deti, guaskë deti etj. Zonat janë minimale c25”, thanë përfaqësues të laboratorit të betonit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit