Andrea Pirlo do drejtojë Azzurrët

Andrea Pirlo do drejtojë Azzurrët

Kombëtarja italiane e futbollit duket se ka gjetur drejtuesin e ri. Sipas burimeve nga media italiane La Repubblica, ish-mesfushori legjendar Andrea Pirlo është shumë pranë marrëveshjes për t’u ulur në stolin e “Axurrëve”, ndërsa kanë mbetur vetëm detajet e fundit për zyrtarizimin.

Pirlo pritet të firmosë një marrëveshje katërvjeçare, me një pagë prej afërsisht 1.5 milionë euro në sezon. Zgjedhja e tij është mbështetur nga Paolo Maldini dhe Leonardo, të cilët e shohin si profilin ideal për një projekt afatgjatë dhe rindërtimin e skuadrës.

Për të finalizuar kalimin te Italia, Pirlo është aktualisht duke punuar për mbylljen e parakohshme të kontratës me klubin e United FC në Dubai, ku ishte i lidhur deri në qershor të vitit 2027.

Federata Italiane e Futbollit kishte shfaqur interes edhe për emra të tjerë të mëdhenj, ndërsa presidenti Giovanni Malago kishte preferuar fillimisht një rikthim të Roberto Mancinit. Megjithatë, zhvillimet ndryshuan rrënjësisht pas dështimit të pistës kryesore.
Pep Guardiola u kontaktua dhe e shqyrtoi seriozisht mundësinë e drejtimit të Italisë, por në fund refuzoi

Sipas mediave italiane, refuzimi erdhi për motive personale dhe jo financiare. Pas përfundimit të periudhës së tij te Manchester City, Guardiola ka vendosur të marrë një vit pushim për t’iu përkushtuar familjes dhe për t’u shkëputur përkohësisht nga fusha e blertë.

Përveç Mancinit dhe Contes, që nuk kanë pasur kontakte të fundit me federatën, rruga tashmë është e hapur për Andrea Pirlon, i cili pritet të prezantohet zyrtarisht si trajneri i ri në ditët në vijim.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit