
Çdo fillim muaji, në pikat e shpërndarjes së aboneve në Tiranë përsëritet e njëjta pamje: radhë të gjata qytetarësh, kryesisht të moshuar, që presin me orë të tëra për të marrë një karton. Në ditë si kjo e sotmja, me temperatura që shkojnë deri në 35 gradë Celsius, pritja në këto radhë bëhet jo vetëm e lodhshme, por edhe e rrezikshme për shëndetin e tyre.
Edhe pse Bashkia e Tiranës prej muajsh ofron abone falas për një pjesë të pensionistëve, problemi kryesor vijon të mbetet pritjet e gjata dhe mungesa e një sistemi të thjeshtuar shpërndarjeje. Institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë masë për të shmangur këtë situatë që rëndon çdo muaj të moshuarit.
Propozimet nga qytetarët nuk kanë munguar. Një nga kërkesat më të shpeshta është që abonetë të kenë vlefshmëri më të gjatë, dy ose tre muaj, në mënyrë që të shmangen grumbullimet e përmuajshme. Por, edhe këto sugjerime janë lënë në harresë nga Bashkia apo operatorët e transportit publik.
Ndërkohë, të moshuarit vazhdojnë të presin nën diellin përvëlues, të detyruar të përballen çdo muaj me të njëjtin stres për të marrë një ‘shërbim’ që me pak vullnet dhe organizim, mund të ofrohej me shumë më tepër dinjitet.