Anglia mbijeton në “ferrin” e Aztekës, mposht Meksikën dhe prenoton çerekfinalen me Norvegjinë

Anglia mbijeton në “ferrin” e Aztekës, mposht…

Anglia ka siguruar një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti me rezultatin 3-2 bashkëorganizatoren Meksikë në një përballje plot ritëm dhe emocione, të zhvilluar në stadiumin legjendar “Azteca”.

Sfida nisi me një orë vonesë, ndërsa rastin e parë të pastër e krijuan vendasit me Raúl Jiménez, por Jordan Pickford bëri një pritje vendimtare. Në krahun tjetër, Anthony Gordon provoi të surprizonte Raúl Rangel, por portieri meksikan ishte i vëmendshëm.

Anglia goditi në momentin e duhur. Në minutën e 36-të, Jude Bellingham zhbllokoi sfidën pas një asistimi të saktë nga Bukayo Saka, ndërsa vetëm dy minuta më vonë mesfushori anglez realizoi edhe golin e dytë personal, kësaj here pas një pasimi të Harry Kane, duke i dhënë “Tre Luanëve” një avantazh të rëndësishëm 2-0.

Megjithatë, Meksika nuk u dorëzua. Pak para përfundimit të pjesës së parë, Julián Quiñones shënoi për 2-1 dhe riktheu besimin te tifozët vendas.

Edhe fraksioni i dytë nisi me intensitet të lartë. Nico O’Reilly ishte shumë pranë golit të tretë për Anglinë, por tentativa e tij u ndal nga shtylla. Më pas, skuadra e Thomas Tuchel mbeti me një lojtar më pak, pasi Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq pas rishikimit të aksionit nga VAR.

Edhe pse në inferioritet numerik, anglezët arritën të thellonin diferencën. Në minutën e 60-të, Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë, pasi Anthony Gordon u pengua brenda zonës nga Raúl Rangel.

Ndeshja rezervoi edhe një tjetër kthesë. Pas një ndërhyrjeje të VAR-it, arbitri akordoi penallti edhe për Meksikën, të cilën Raúl Jiménez e shndërroi në gol për rezultatin 3-2.

Minutat e fundit ishin të mbushura me tension, me Meksikën që ushtroi presion të madh në kërkim të barazimit. Megjithatë, mbrojtja angleze dhe Jordan Pickford rezistuan deri në fund, duke vulosur kualifikimin mes tetë skuadrave më të mira të Botërorit.

Në fazën çerekfinale, Anglia do të përballet me Norvegjinë, ndërsa Meksika i jep fund rrugëtimit të saj në 1/8-at e finales, duke pësuar njëkohësisht humbjen e parë pas 12 ndeshjesh radhazi pa disfatë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit