Anomalia me koeficientet e basteve/ Ndeshja Bylis-Tirana e fiksuar?

Anomalia me koeficientet e basteve/ Ndeshja Bylis-Tirana…

Dyshime dhe akuza për fiksim të ndeshjes së Kupës, Ballshi-Tirana, pas anomalisë me koeficientet e ndeshjes.

Gjysmëfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë mes Bylisit dhe Tiranës ka risjellë në skenë ndeshjet e çuditshme dhe dyshimet e forta.

Duke ditur se jetojmë në një epokë të re, post-“COVID-19”, Bylis-Tirana, takim i zhvilluar dje në stadiumin “Adush Muça”, riktheu virusin e vjetër të futbollit shqiptar.

Atë të Kupës së Shqipërisë, ku ndeshjet e këtij kompeticioni gjithmonë kanë prodhuar dosje për sfida të dyshimta.

“Estrada e Ballshit” dha dje një shfaqje në një stadium të boshatisur, por që u ndoq drejtpërdrejt nga shumë sy nëpërmjet ekraneve të televizionit.

Bylis-Tirana pati elemente të një ndeshjeje të dyshimtë.

Përveç paraqitjes së aktorëve të fushës, rezultati vërtetohet edhe nga lëvizjet e çuditshme të koeficienteve të kompanive të basteve.

Por edhe të kompanive vendëse që operojnë në mënyrë ilegale, pasi dihet se bastet sportive janë të ndaluara në Shqipëri.

Sipas kuotave fillestare, Tirana ishte favorite për ta fituar ndeshjen, me një koeficient 1.8, ndërsa suksesi i vendësve ishte me koeficient katër.

Por, duke parë rrjedhën e ngjarjeve, koeficientet lëvizën shumë, madje edhe pse Tirana e mbylli pjesën e parë në avantazh.

Para fillimit të pjesës së dytë shikohet një ulje e koeficientit të fitores së Bylisit, gjë e cila tregon se është goditur nga bastexhinjtë përmbysja e vendësve, gjë e cila ndodhi.

Madje, kompanitë ilegale vendëse pas barazimit 1-1 e hoqën ndeshjen nga bastet “live” duke bllokuar koeficientet.

Humbja e penalltisë nga Bylisi në fund të ndeshjes është një tjetër episod që shton dyshimet se ndeshja ka qenë e çuditshme.

Për këtë takim ka pasur edhe një prognozë që nuk bëheshin më shumë se tre gola dhe këtu të lindin sërish dyshime për një penallti të shpërdoruar nga Goxha.

Ajo që e bën më të mjegullt pasqyrën e kësaj ndeshjeje, janë deklaratat e dhëna nga presidenti i Tiranës, Refik ‘ Halili, pas ndeshjes.

Po ashtu edhe trajneri i Bylisit, Veljko Dovedan, i cili deklaroi se, për të gjuajtur penalltinë kishte caktuar Ujkën, por u ekzekutua nga një tjetër lojtar.

Ndërkaq, “Procesi Sportiv” në pushim të ndeshjes, publikoi një foto të koeficienteve të takimit.

Megjithëse Tirana ishte në avantazh, koeficientin për të fituar ndeshjen e kishte më të ulët Bylisi.

E thënë ndryshe, bastexhinjtë vazhdonin të “godisnin” fitoren e Bylisit që gjendeshin në disavantazh 1- 0.

Ai kishte përballë ekipin më të fortë të kampionatit dhe kishte vetëm 45 minuta kohë në dispozicion. 

Faksimile e një faqeje që mendohet se është kompani bastesh ilegale, publikuar nga “Procesi Sportiv” në fund të pjesës së parë.

Kjo tregon se paçka se Tirana udhëhiqte 0-1 në Ballsh, kuotat parashikonin se Bylisi ishte favorit për të fituar krejt takimin.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit