Apartamente, troje, e miliona: Zbardhen pasuritë e anëtarëve të Kushtetueses

Apartamente, troje, e miliona: Zbardhen pasuritë e…

Apartamente, troje, ullishte, garazhe, fonde investimi dhe të ardhura të konsiderueshme nga qiratë apo aktivitetet private të familjarëve. Kjo është panorama financiare që del nga deklaratat e pasurisë së nëntë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për vitin 2025, të dorëzuara pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

Dokumentet zyrtare pasqyrojnë jo vetëm pagat kushtetuese, por edhe lëvizje të mëdha llogarish bankare, kredi apo sipërmarrje private brenda e jashtë vendit.

Holta Zaçaj: Deklarata pas largimit, miliona lekë kompani e të ardhura nga qiratë

Një prej deklaratave më të detajuara është ajo e Holta Zaçajt, ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, e cila ka paraqitur bilancin financiar pas largimit nga detyra më 24 nëntor 2025:

  • Pasuritë e paluajtshme: Apartament 133.4 m², truall me ndërtesë 495 m² (lënë si kolateral) dhe dy garazhe, të gjitha në bashkëpronësi 50%.
  • Biznesi: Pjesëmarrje prej 50% në shoqërinë EZ-RE, me vlerë të deklaruar 12.3 milionë lekë.
  • Të ardhurat: Zaçaj deklaron 104,500 dollarë dhe 26,000 euro nga qiratë, 50,000 euro nga shitja e pasurive të paluajtshme, si dhe 4.005 milionë lekë pagë nga Kushtetuesja. Bashkëshorti i saj, Erjon Duraj, deklaron 120,157 dollarë nga aktiviteti privat dhe 41,398 euro pagë nga AlbChrom sh.p.k.
  • Detyrimet: Bashkëshortët deklarojnë detyrime të mëdha bankare, përfshirë një overdraft prej 669,094 dollarësh dhe disa kredi bankare me vlera të mbetura deri në 614,962 dollarë dhe 66.7 milionë lekë.
  • Djali (Mario Kotherja): Ka blerë një automjet prej 57,000 dollarësh në shtator 2025. Ai deklaron 14.04 milionë lekë pagë nga DEEL ALBANIA, 5,000 euro nga qiratë dhe 16,888 dollarë si person fizik, si dhe një kredi me detyrim të mbetur prej 71,610 eurosh.

Marjana Semini: Ndërtime, ullishte dhe miliona lekë nga Associated Press

Në deklaratën e gjyqtares Marjana Semini pasqyrohen lëvizje pasurish të paluajtshme dhe të ardhura nga mësimdhënia e honoraret:

  • Prona: Ndërtesë 140 m² (me shtim sipërfaqeje prej 90 m² me vlerë 25,000 euro), një pasuri prej 52,000 m² me shtim sipërfaqeje prej 812 m², si dhe ullishte 3,500 m² e pasqyruar si pasuri që nuk zotërohet më.
  • Financat: Shtim prej 2.76 milionë lekësh në llogari bankare, shtime në fonde investimi dhe 1.38 milionë lekë honorare, përveç pagës prej 3.62 milionë lekësh nga Kushtetuesja dhe angazhimeve në universitete e Shkollën e Magjistraturës.
  • Bashkëshorti (Llazar Semini): Deklaron 8.39 milionë lekë pagë nga Associated Press, 8,800 euro nga qiraja, si dhe shtim në llogari bankare prej 5.04 milionë lekësh.
  • Djali: Deklaron pagë prej 46,123 eurosh nga Santen SA, por edhe një kredi me detyrim të mbetur prej 289,387 eurosh.

Genti Ibrahimi: 2.64 milionë lekë dhe dhjetëra mijëra euro nga qiratë

Të ardhurat nga dhënia e pronave me qira spikasin te Genti Ibrahimi:

  • Qiratë: Deklaron 2.64 milionë lekë si dhe tre zëra të ndryshëm nga qiraja me vlera 16,800 euro, 14,400 euro dhe 4,800 euro (gjithsej 36,000 euro). Paga nga Kushtetuesja shënon 3.74 milionë lekë.
  • Lëvizjet financiare: Shtim prej 7,020 eurosh nga dhurimi, por edhe pakësim të një llogarie prej 24,210 eurosh. Bashkëshortja e tij deklaron pakësim të një depozite bankare prej 50,000 eurosh, shtim llogarie prej 2.7 milionë lekësh dhe pagë 1.49 milionë lekë nga SASPAK.
  • Djali: Deklaron 20,400 euro dhe 1,364 euro nga qiratë, si dhe 44,497 euro pagë nga Ernst & Young Nederland.

Fiona Papajorgji & Sander Beci: Kursime dhe investime në fonde

  • Fiona Papajorgji: Deklaron shtimin e një llogarie bankare me 7.16 milionë lekë nga kursimet, si dhe një fond investimi me vlerë 1.98 milionë lekë. Paga e saj vjetore nga Gjykata Kushtetuese ishte 3.74 milionë lekë (përveç një zëri prej 1.62 milionë lekësh). Bashkëshorti i saj deklaron 1.22 milionë lekë pagë nga Policia e Shtetit.
  • Sander Beci: Deklaron investim në një fond prej 5.01 milionë lekësh (me kontribut 5 milionë lekë), si dhe pakësimin e një llogarie bankare me 2.24 milionë lekë. Paga nga Gjykata Kushtetuese kap vlerën 3.74 milionë lekë.

Sonila Bejtja & Ilir Toska: Apartamente dhuratë dhe të ardhura në shëndetësi

  • Sonila Bejtja: Deklaron një apartament 68.8 m² të përfituar me dhurim (me vlerë 1 lek), si dhe pronësinë mbi 1/3 e një apartamenti 135.98 m² të regjistruar në prill 2025. Përveç pagës prej 3.74 milionë lekësh, ajo deklaron shtim llogarie prej 6,741 eurosh dhe një kredi konsumatore me detyrim të mbetur prej 7.87 milionë lekësh. Bashkëshorti i saj deklaron shitjen e një automjeti për 3,000 euro dhe 2.64 milionë lekë pagë.
  • Ilir Toska: Deklaron shtim të cash-it me 2.1 milionë lekë nga kursimet dhe pagë 3.74 milionë lekë. Ajo që bie në sy është aktivieteti i bashkëshortes së tij, e cila deklaron të ardhura nga paga në 7 kompani e spitale private (përfshirë Labor Dr. Limbach me 2.4 milionë lekë dhe Albiomed me 1.76 milionë lekë). Vajza e tyre deklaron pagë nga Raiffeisen Bank dhe mbylljen e një depozite prej 588 mijë lekësh.

Asim Vokshi & Marsida Xhaferllari: Detyrime me kredi dhe dieta nga BE

  • Asim Vokshi: Deklaron pakësime në cash (1.5 milionë lekë) dhe llogari bankare (32,947 euro), si dhe pagë nga Gjykata e Lartë (3.19 milionë lekë). Ai pasqyron një detyrim financiar prej 230,000 eurosh (nga të cilat ka shlyer 84,000 euro), si dhe një kredi bankare me detyrim të mbetur 2.99 milionë lekë. Bashkëshortja e tij deklaron 2.01 milionë lekë pagë nga Fakulteti i Drejtësisë.
  • Marsida Xhaferllari: Deklaron pakësime të lehta në disa llogari bankare, të ardhura nga Shkolla e Magjistraturës (279 mijë lekë) dhe pagën nga Gjykata Kushtetuese për vitin 2025 prej 3.80 milionë lekësh (krahas një zëri të prapambetur prej 1.44 milionë lekësh për periudhën 2019–2023).

Deklaratat e pasurisë për vitin 2025 pasqyrojnë qartë lëvizjet financiare, investimet dhe të ardhurat dytësore të trupës gjykuese që mbron Kushtetutën e vendit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit