Kërkesa e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Ardian Çapja, për të marrë pjesë në varrimin e nënës së tij është refuzuar nga Drejtoria e Burgjeve për arsye sigurie. Kërkesa ishte paraqitur mëngjesin e sotëm, ndërsa sipas burimeve, policia nuk ka dhënë përgjigje për të marrë përsipër sigurinë e Çapjas gjatë daljes nga burgu. Varrimi i nënës së tij zhvillohet në orën 14:00 në Elbasan.
Çapja është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir, ngjarje e ndodhur më 15 gusht 2012 në banesën e tyre në Elbasan. Gentian Beqiri, i paralizuar dhe në arrest shtëpie, u qëllua me 7 plumba pistolete me silenciator, ndërsa më pas u vra edhe babai i tij, Nezir Beqiri. Për këtë ngjarje, dy efektivë policie që ishin ngarkuar me ruajtjen e Gentian Beqirit u akuzuan për shpërdorim detyre.
Ardian Çapja, i konsideruar nga autoritetet si një prej figurave kryesore të grupit kriminal të Çapjave në Elbasan, ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se procesi ndaj tij ishte i montuar. Ai ka qenë gjithashtu objekt i disa atentateve ndër vite. Në vitin 2017 u shpëtoi tre atentateve me armë dhe eksploziv, ndërsa më 8 qershor 2020 mbeti i plagosur rëndë në një atentat, për të cilin hetimet e SPAK kanë ngritur dyshime ndaj grupit të Suel Çelës.