
Në një cep të thellë të Burrelit, në një kantier ku jeta vlen më pak se një makineri. Ardit Beshiri. vetëm 29 vjeç, me gjithë energjinë dhe ëndrrat e moshës, ai po punonte me fadromë, kur rrëshqitja e dherave e mori përposhtë. Katër ditë më pas, nuk ka asnjë shenjë.
Në vendin ku vdekja e punëtorit është statistikë dhe jo tragjedi, shpresa mbështetet te zëri i një babai që kërkon ndihmë. Dhe kur shteti më në fund reagon, vjen me një lëvizje të vonuar dhe një arsenal bosh. Forcat e Armatosura u dërguan në vendngjarje, por me çfarë? Me duar në xhepa dhe disa lopata sa për të mbyllur gojën .
Dhe kur flasim për Forcat e Armatosura, nuk mund të mos përmendim një emër: Pirro Vëngu, Ministër i Mbrojtjes, një nga figurat më përgjegjëse për përgatitjen e vendit ndaj emergjencave. Dhe ku është ai sot? Në zyrë, në qetësinë e një karrigeje të butë, ndërkohë që një baba pret të paktën një pjesë të trupit e të birit për ta varrosur.
Pirro Vëngu, që s’e sheh terrenin, s’dëgjon klithmat e familjes, dhe nuk e ndjen barrën e detyrës. Ai është mishërimi i një administrate që funksionon vetëm në letër, që jep konferenca për shtyp kur përmbyt qytetet, por nuk ngre asnjë gisht kur toka përpin jetë. Është ai që duhet të kishte garantuar që ushtria të kishte mjete për kërkim në thellësi, dronë termikë, kamera nëntokësore dhe jo thjesht uniforma.
Në një vend normal, një zyrtar i tillë do të kishte dhënë dorëheqjen pas dështimit të parë. Në Shqipëri, ai mbetet, shpesh edhe promovon veten me gjuhë të zbukuruar, ndërsa realiteti nën këmbët e tij rrëzohet. Fjalët e tij janë të pastra, por duart e institucionit që drejton janë bosh.
Ushtria e Vëngut e lënë në harresë pa rroba, pa mjete, e pa vlerësim s’ka asgjë në dorë veç disa lopatave ndaj s’mund të bëj asgjë para kësaj fatkeqësie.
Ndërsa Pirro Vëngu hesht, një baba pret të paktën një gisht. Një vend ku të çojë një tufë lule. Arditi sot është një emër në lajme. Nesër mund të jetë dikush tjetër.
Dhe le të pyesim hapur nëse sot, kur bëhet fjalë për një jetë të vetme, shteti dështon kështu, çfarë do të ndodhë nesër kur të godasë diçka më e madhe? A do të na shpëtojë Pirro Vëngu me ndonjë dosje emergjencash të firmosur me kujdes?