Argjentina e siguroi me shumë vuajtje kualifikimin në 1/8-at e Kupës së Botës, duke mposhtur vetëm pas 120 minutash Kepin e Gjelbër me rezultatin 3-2. Edhe pse u eliminua, skuadra afrikane fitoi zemrat e tifozëve me një paraqitje të jashtëzakonshme, duke e detyruar një nga favoritët e turneut të luftonte deri në sekondat e fundit.
Pas vërshëllimës finale, emocionet pushtuan fushën. Një nga momentet më prekëse ishte ai kur djali i vogël i një prej futbollistëve të Kepit të Gjelbër, me lot që i rridhnin në fytyrë, përqafoi babain e tij si për t’i zbutur dhimbjen e humbjes.
Edhe pse vetë nuk mund ta fshihte zhgënjimin, vogëlushi gjeti forcën të ngushëllonte të atin, duke i dhuruar një përqafim që preku zemrat e të gjithëve. Në skenë ishte edhe bashkëshortja e futbollistit, duke e kthyer atë moment në një nga pamjet më emocionuese të këtij Botërori.
Kepi i Gjelbër ishte vetëm pak minuta larg penalltive përballë Argjentinës, madje dy herë iu përgjigj golave të “La Selección”. Megjithatë, goli vendimtar në fundin e kohës shtesë i dha fund ëndrrës së afrikanëve për një kualifikim historik.
Ata u larguan nga turneu të eliminuar, por jo të mposhtur në shpirt. Ndërsa Argjentina festoi një fitore të vuajtur, përqafimi i një djali që ngushëllonte babanë e tij mbeti momenti që tregoi anën më njerëzore të futbollit.