Emri i Arion Kurtaj është shndërruar në një nga rastet më të bujshme të sigurisë kibernetike në shkallë globale. 21-vjeçari shqiptar, një nga figurat qendrore të grupit famëkeq të hakerave Lapsus$, ka pranuar fajësinë për një seri sulmesh shkatërruese ndaj gjigantëve ndërkombëtarë të teknologjisë, financës dhe telekomunikacionit, si Rockstar Games, Uber, Revolut dhe BT/EE.
Seanca përfundimtare për shpalljen e dënimit të tij është caktuar për 23 nëntor 2026, në Gjykatën e Kurorës në Woolwich të Britanisë së Madhe.
Sipas Prokurorisë së Kurorës Britanike (CPS), dëmet e shkaktuara nga ndërhyrjet e paligjshme të grupit llogariten në miliona dollarë, duke kompromentuar të dhëna konfidenciale të mijëra përdoruesve dhe duke paralizuar përkohësisht operacionet e disa prej kompanive më të mëdha në botë.
Një nga episodet më të bujshme të karrierës së tij kriminale ndodhi në shtator të vitit 2022, kur Kurtaj, ndërkohë që ndodhej i izoluar në një hotel në Bicester nën masa të rrepta kufizuese dhe pa akses në kompjuter personal, arriti të depërtojë në sistemet e Rockstar Games.
Duke përdorur vetëm një pajisje transmetimi Amazon Fire Stick, një tastierë dhe një maus Bluetooth, ai shkarkoi dhe publikoi në internet rreth 90 video (afërsisht 60 minuta material) nga zhvillimi i lojës më të shumëpritur në histori, Grand Theft Auto VI (GTA VI), nën pseudonimin “TeaPotUberHacker”.
Pasi siguroi pamjet, Kurtaj kaloi në shantazh, duke kërcënuar se do të hidhte në rrjet edhe kodin burimor të lojës nëse drejtuesit e Rockstar nuk kontaktonin me të brenda 24 orëve. Vetëm ky sulm i kushtoi kompanisë rreth 5 milionë dollarë në dëme direkte, pa llogaritur mijëra orët e punës së stafit për rikuperimin e sistemeve.
Veprimtaria e Kurtajt nuk u kufizua vetëm te bota e lojërave elektronike. Ai ishte aktiv në komprometimin e sigurisë së disa prej kompanive më të rëndësishme financiare dhe të shërbimeve:
BT/EE: Hyri në sistemet e telekomunikacionit britanik duke përdorur teknika të ndërrimit të paligjshëm të kartave SIM (SIM-swapping), një metodë që u lejon hakerave të marrin kontrollin e numrave celularë për të thyer mbrojtjen e llogarive personale.
Revolut: Comprometi të dhënat e ndjeshme të mijëra klientëve të platformës financiare.
Uber: Sulmi ndaj gjigantit të transportit shkaktoi dëme financiare që i kaluan 2.8 milionë dollarë, duke përfshirë ndërprerje të rënda operacionale.
Prokurori i specializuar i CPS, Robert Hutchinson, theksoi se Kurtaj ka përdorur metoda të sofistikuara dhe ka shfaqur një qasje recidiviste, duke vazhduar aktivitetin e paligjshëm pavarësisht se ishte nën lupën e organeve të drejtësisë.
Prapaskena ligjore e kësaj çështjeje ka qenë komplekse. Në vitin 2023, një juri vërtetoi përfshirjen e tij në akuzat e hakimit, mashtrimit dhe shantazhit, por për shkak të raporteve mjekësore që e vlerësonin të paaftë për t’iu nënshtruar procesit standard gjyqësor, ai u urdhërua të mbahej në një spital të sigurisë së lartë.
Në janar të vitit 2026, pas rivlerësimeve të reja mjekësore që e konsideruan të aftë mendërisht, Kurtaj u transferua në një burg të zakonshëm. Megjithatë, sjellja e tij prej “hakeri të pandreqshëm” u shfaq sërish në mars 2026, kur autoritetet zbuluan se ai kishte futur fshehurazi një telefon celular në qeli, të cilin e kishte përdorur madje për t’i dërguar një mesazh tallës numrit britanik të emergjencës 999, një veprim që i shtoi akuzat e reja të pranuara së fundmi para gjykatës.