Një tjetër procedurë prokurimi nën ombrellën e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), i drejtuar nga Arlinda Pogaj, po ngre dyshime serioze për klientelizëm dhe mungesë të theksuar transparence. Me një manovër që “përzë” konkurrencën, institucioni ka shpallur fituesin e tenderit për sigurimin KASKO të mjeteve të Gardës së Republikës, duke i kaluar rreth 100 mijë euro me TVSH kompanisë “INSIG” në pronësi të Kadri Morinajt.

Fitorja me 99.8% të fondit limit
Ajo që e bën këtë tender REF-80254-03-27-2026 një rast për investigim mbi prokurimet publike është përputhshmëria e frikshme mes fondit limit dhe ofertës fituese.
-
Fondi limit: 8,320,819.00 lekë pa TVSH
-
Vlera e shpallur fituese: 8,303,163.00 lekë pa TVSH
Nga një llogaritje e thjeshtë, rezulton se kompania e Morinajt ka fituar duke ofruar 99.8% të vlerës maksimale. Në një treg ku logjika e prokurimit kërkon ulje çmimi përmes konkurrencës, Arlinda Pogaj ka firmosur një kontratë ku kursimi për shtetin është thuajse zero, vetëm 17 mijë lekë të reja ose rreth 160 euro.

Gara me “vetëm një vrapues”
Dokumentacioni i tenderit zbulon skandalin tjetër: Në garë nuk ka pasur asnjë ofertues tjetër. Pavarësisht se tregu i sigurimeve në Shqipëri është i mbushur me operatorë, asnjë kompani tjetër nuk ka guxuar ose nuk është lejuar të hyjë në këtë procedurë.
Ky fenomen i “operatorit të vetëm” ngre dyshime të forta mbi kriteret e hartuara nga OBP nën drejtimin e Pogajt. Kur një tender shpallet me kritere që i përshtaten vetëm një kompanie, gara asfiksohet dhe fituesi është i paracaktuar që në momentin e shpalljes në sistemin e Prokurimeve Publike.

Përgjegjësia e OBP dhe Arlinda Pogajt
Nën menaxhimin e Arlinda Pogajt, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka marrë kompetencën për të kryer tendera në emër të shumë institucioneve, por rastet si ky i Gardës dëshmojnë se ky përqendrim po shërben më shumë për të “centralizuar” përfituesit sesa për të rritur efikasitetin e parave publike.
Kur fondi limit preket me 99.8% dhe në garë merr pjesë vetëm një person, pyetja nuk është më “kush fitoi”, por “pse u lejua të shkatërrohej gara”? Për Kadri Morinajn, kjo ishte një tjetër kontratë e majme që i shtohet portofolit, ndërsa për Arlinda Pogajn, ky mbetet një tjetër tender që “kundërmon” paracaktim.