Armando Sadiku ka vendosur të mbyllë karrierën si futbollist profesionist në moshën 35-vjeçare. Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare e bëri publik vendimin përmes një videoje të postuar në Instagram, ku riktheu në vëmendje disa nga momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të tij në futboll.
“Faleminderit, futboll. Do të më mungosh”, shkroi Sadiku në mesazhin e lamtumirës, duke i dhënë fund një kapitulli të rëndësishëm të karrierës së tij.
Emri i sulmuesit shqiptar do të kujtohet veçanërisht për golin historik të shënuar më 19 qershor 2016, në ndeshjen ndaj Rumanisë në Kampionatin Europian të zhvilluar në Francë. Në minutën e 43-të, Sadiku dërgoi topin në rrjetë, duke i dhuruar Shqipërisë fitoren 1-0, të parën dhe deri më sot të vetmen në fazën finale të një Europiani.
Ky gol mbetet një nga momentet më të veçanta në historinë e Kombëtares, në turneun ku Shqipëria merrte pjesë për herë të parë. Sadiku ishte gjithashtu pjesë e rrugëtimit historik drejt kualifikimit, duke kontribuar edhe gjatë ndeshjeve eliminatore.
Me fanellën kuqezi, ai regjistroi 38 paraqitje dhe 12 gola, duke lënë gjurmën e tij në një prej periudhave më të rëndësishme të futbollit shqiptar.
Megjithatë, Sadiku nuk do të largohet plotësisht nga bota e futbollit. Ai pritet të vijojë karrierën në një tjetër rol, si drejtor sportiv i klubit zviceran Bellinzona, këtë herë jashtë fushës së lojës.
Kështu, dhjetë vjet pas golit që i dhuroi Shqipërisë fitoren historike ndaj Rumanisë, Armando Sadiku mbyll karrierën si futbollist profesionist, por emri i tij mbetet i lidhur përgjithmonë me një nga çastet që emocionoi shqiptarët kudo ku ndodheshin.