
Irani paralajmëron hakmarrje pas sulmit amerikan, raketat mund të godasin edhe pranë Shqipërisë dhe rajonit
Sulmi i Shteteve të Bashkuara ndaj bazave bërthamore iraniane ka ndezur një tjetër vatër tensioni në Lindjen e Mesme dhe përtej saj. Vetëm pak orë pas urdhrit të ish-presidentit Donald Trump për të autorizuar goditjet, Irani la të kuptohej se nuk do të qëndrojë duarkryq.
Republika Islamike kishte paralajmëruar më herët se çdo goditje ndaj territorit të saj do të pasohej nga një kundërpërgjigje e ashpër. Tashmë që sulmi është bërë realitet, strategët iranianë po përmendin përdorimin e raketave balistike për të goditur bazat amerikane që ndodhen në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Mesdheut.
Një analizë e publikuar në “New York Times” thekson se rrezja e veprimit e raketave balistike iraniane përfshin pjesën më të madhe të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke u afruar ndjeshëm edhe me Shqipërinë. Kjo ngre shqetësime të reja për sigurinë e rajonit dhe pozicionin gjeostrategjik të vendit tonë.
Ajo që e bën më të rrezikshëm arsenalin iranian është fakti që pjesa më e madhe e raketave lëshohen nga mjete të lëvizshme. Kjo i mundëson Iranit të vendosë raketat në pika të ndryshme taktike, duke e shtuar mundësinë për të kapur në befasi objektiva të rëndësishëm ushtarakë.
Kjo gjendje tensioni vendos një numër të konsiderueshëm bazash amerikane nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të raketave iraniane. Çdo lëvizje e mëtejshme nga palët mund të sjellë një përshkallëzim të rrezikshëm në të gjithë rajonin.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, akuzoi SHBA-në për shkatërrimin e çdo përpjekjeje për diplomaci. Në një postim në rrjetin X, ai kujtoi se një javë më parë po negocionin me Uashingtonin, kur ndërhyri Izraeli. Tani, kur bisedimet po vazhdonin me vendet europiane, ishin vetë amerikanët që i shuanin shpresat për dialog.
Araghchi u shpreh i zhgënjyer me qëndrimin e Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat sipas tij po i kërkojnë Iranit të rikthehet në bisedime, ndërkohë që, siç tha ai, “Irani nuk është larguar kurrë nga tryeza e bisedimeve”.