
Ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e djeshme në fshatin Muçan të Elbasanit, ku ndërroi jetë elektriçisti me iniciale A.T, 62 vjeç për shkak se ra në kontakt me rrymën elektrike, nga policia është arrestuar dispeçeri i OSHEE-së dhe është proceduar në gjendje të lirë shefi i ekipit të OSHEE-së.
Njoftimi i policisë:
“Në lidhje me informacionin e dhënë ditën e djeshme, për shtetasin A. T, 61 vjeç, punonjës i OSHEE-së, i cili humbi jetën sepse ra në kontakt me rrymën elektrike, gjatë punës për riparimin e një defekti në një kabinë në fshatin Muçan, ju bëjmë me dije se:
Specialistët për hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, pas hetimeve të thelluara, të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, për zbardhjen e këtij rasti:
– Arrestuan shtetasin A. N, 58 vjeç, banues në Cërrik, me detyrë dispeçer i OSHEE-së, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi dyshohet se nuk ka marrë masa për stakimin e energjisë elektrike në nënstacionin e zonës ku po punonte shtetasi A. T
– Referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. S, 31 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i ekipit të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk ka informuar për ndërhyrjen e shtetasit A. T, në kabinë, ndonëse vetë ka qenë informuar për këtë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.”
Gjatë kësaj fundjave fshati Muçan i Elbasanit kishte mbetur pa energji elektrike për shkak të motit të keq me reshje të dendura. Për këtë gjë është dashur ndërhyrja e OSHEE-së për të zgjidhur problemin e energjisë elektrike.