Arrestohet edukatorja që i theu këmbën fëmijës 3-vjeç, qytetarët dalin në protestë

Arrestohet edukatorja që i theu këmbën fëmijës…

Majlinda Dehima, është arrestuar nga policia pasi dhunoi fëmijën 3-vjeçar në kopshtin ‘Stinët’ duke i thyer këmbën. Arrestimi i saj është kryer pas kërkesës së prokurorisë për masën ‘arrest me burg’ për veprën penale ‘Keqtrajtim i të miturit’. Sipas prokurorisë kjo kërkesë u bë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike, usb.

“Prokuroria Tiranë kërkon ‘Arrest në burg’ për shtetasen M.D. për Veprën Penale ‘Keqtrajtim i të miturit’

Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim M. D., për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, të parashikuar nga neni 124/b/1 i K.Penal”, njofton prokuroria.

Ndërkohë që për rastin konkret, prindër, fëmijë e të moshuar kanë dalë para Ministrisë së Arsimit për të protestuar.

Qytetarët e shumtë kanë kërkuar më shumë siguri për fëmijët e tyre në kopshtet dhe çerdhet private, si edhe shtim të stafit punonjës në institucionet shtetërore.

Një prej protestueseve u shpreh se në këto kopshte edukatoret nuk janë të përgatitura dhe nuk kanë kualifikimin e nevojshëm për t’u kujdesur për të vegjlit në këto ambiente.

“Jam shumë e indinjuar për atë që i ndodhi fëmijës. Prokuroria duhet ta fusë brenda edukatoren. Nuk mund të punohet pa licencë në mes të Tiranës. Ku janë organet kompetente? Duhet patjetër kontrolle në kopshte dhe çerdhet private. Këtë të shohë ministria. Këtu fillon edukimi dhe prandaj bëhet çdo gjë. Merren edukatoret dhe nuk dihet përgatitja ose profili i tyre. I kam bredhur me radhë çerdhet, të gjitha thonë se nuk kanë diploma për këtë punë.

Këtë të bëjë ministrja, le të rregullojë këtë problematikë për brezin e vogël. Kontrolli duhet të nisë nga shteti. 40 fëmijë janë në shtet për 2 edukatore në shtet. Ato janë heroina, por është e pamundur. Po pranojmë këta emigrantët, po këta të vegjlit tanë?”-u shprehën protestuesit mes të tjerash.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit