Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, është ndaluar për 48 orë në Kosovë, nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj. Ngjarja nisi pas një postimi të Mehmetajt në Facebook për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, nipin e Gani Gecit. Gazetari e kishte quajtur deputetin “analfabet”, pas deklaratave të këtij të fundit se ish-presidenti Hashim Thaçi mbante përgjegjësi për mbi 200 vrasje. Sipas Mehmetajt, pas publikimit të postimit, ai është telefonuar nga anëtarë të familjes Geci, të cilët i kanë kërkuar ta fshinte, por ai ka refuzuar.
Mehmetaj ka pretenduar se disa persona nga familja Geci kanë shkuar edhe në zyrën e tij, ku i kanë kërkuar sërish të hiqte ose të ndryshonte postimin, ndërsa sipas tij, gjatë takimit është kërcënuar. Gazetari ka deklaruar se të nesërmen e ka denoncuar rastin në Policinë e Kosovës. Nga ana tjetër, Gani Geci ka dhënë një version tjetër, duke pretenduar se, me ndërmjetësimin e deputetëve të LDK-së, Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj, familjet kishin zhvilluar një takim dhe ishin dakordësuar të mos reagonin më publikisht ndaj njëra-tjetrës. Megjithatë, Mehmetaj e publikoi sërish postimin, duke deklaruar se nuk do të hiqte “asnjë shkronjë” prej tij.
Përplasja kulmoi mbrëmjen e së hënës në ambientet e RTV Dukagjini, ku Mehmetaj ishte i ftuar në emisionin “Debat Plus”, në një diskutim me deputetin e PDK-së, Përparim Gruda. Në fund të emisionit, moderatori Ermal Panduri e njoftoi gazetarin se jashtë televizionit ndodheshin persona nga familja Geci dhe se në oborr kishte mbërritur Policia e Kosovës. Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, Gani Geci kishte shkuar në ambientet e televizionit ndërsa emisioni ishte ende në transmetim. Pas incidentit, ai u shoqërua dhe u intervistua nga policia, ndërsa prokurori i rastit vendosi ndalimin e tij për 48 orë, nën dyshimin për kanosje. Familjarët e Gecit kanë pretenduar se ai ishte paraqitur vullnetarisht në polici për të dhënë sqarime, dhe jo se ishte arrestuar në vendngjarje.