Arrestohet ish-kryebashkiaku i PS, Agim Kajmaku

Arrestohet ish-kryebashkiaku i PS, Agim Kajmaku

Merr fund arratia e Agim Kajmakut, ish-kryetarit të Bashkisë së Vorës. Kajmaku përfundoi në prangat e Policisë mëngjesin e sotëm. Aktualisht, mësohet se ish-kryebashkiaku i PS në Vorë, ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Kajmaku ishte në kërkim policor prej nëntorit të vitit të kaluar dhe po gjykohej në mungesë për akuzat e “falsifikimit të formularëve”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “kryerje e funksionit pas dhënies fund të tij”.

Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.

Akuzat e Partisë Demokratike u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person, duke bërë që KQZ ta shkarkojë atë nga detyra e kryebashkiakut.

Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.

Akuza tjetër lidhet me shkarkimin nga Kajmaku të dy nënkryetarëve të Bashkisë pasi KQZ i kishte hequr mandatin. Ndaj tij, gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg”, por që deri më tani ishte e pa ekzekutuar.

Në disa seanca gjyqësore, avokati i Kajmakut ka kërkuar shuarjen e masës, por kërkesa është refuzuar nga gjykata./Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit