Arrestohet ish-kryebashkiaku në Ekuador, autoritetet: Ishte financuesi kryesor i bandës kriminale "Los Lobos"

Arrestohet ish-kryebashkiaku në Ekuador, autoritetet: Ishte financuesi…

Një ish-kryebashkiak në Ekuador është arrestuar nga autoritetet, pasi dyshohet se ishte financuesi kryesor i organizatës kriminale “Los Lobos”, një nga grupet më të fuqishme të përfshira në trafikun e drogës dhe aktivitetet e minierave të paligjshme në vend.

Bëhet fjalë për Elias Baldor Bermeo, i njohur edhe me nofkën “BB”, i cili, sipas Ministrit të Brendshëm të Ekuadorit, John Ryberg, konsiderohet “financuesi kryesor i një prej organizatave më të përgjakshme që vendi ka njohur ndonjëherë”.

Sipas autoriteteve, arrestimi i ish-kryetarit të bashkisë së Camilo Ponce Enríquez përbën një goditje të rëndësishme ndaj organizatës kriminale Los Lobos, e cila prej vitesh dyshohet se financon aktivitetin e saj përmes shfrytëzimit të minierave të paligjshme.

Operacioni policor u zhvillua në provincën andine të Azuay, ku u arrestuan gjithsej gjashtë persona, mes tyre edhe familjarë të Bermeos.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi edhe shufra ari që mbanin foton e Pablo Escobar, bosit të ndjerë kolumbian të drogës, një detaj që sipas autoriteteve tregon lidhjet simbolike dhe financiare të grupit me botën e krimit të organizuar.

Ministri Ryberg deklaroi gjithashtu se Bermeo dyshohet të ketë organizuar aktivitete të minierave të paligjshme dhe sulme me lëndë shpërthyese.

Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2023–2025, ai dyshohet se ka qarkulluar rreth 3.2 milionë dollarë përmes kompanive të lidhura me aktivitetin minerar.

Qeveria e presidentit Daniel Noboa, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ka intensifikuar operacionet kundër bandave kriminale dhe karteleve të drogës, në përpjekje për të goditur burimet financiare të organizatave që veprojnë në vend.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit