Një 31-vjeçar shqiptar është arrestuar në Francë, pas një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga gjykata e Trentos në Itali. Ai akuzohet se ishte pjesë e një bande të specializuar në vjedhje banesash, me mbi 20 raste të kryera vetëm në zonën e Val di Non, në Trentino.
Banda, e përbërë kryesisht nga shqiptarë, kishte bazën në një zonë të izoluar të Valsuganas, ku policia gjeti rroba, mjete të forta për thyerje banesash dhe pajisje komunikimi. Për të kryer grabitjet, ata përdornin një makinë elektrike të vjedhur në Milano, të maskuar me targa të klonuara.
Prej muajit maj, 31-vjeçari ishte arratisur dhe i shmangej policisë italiane, autoriteteve shqiptare dhe madje edhe Interpolit. Arrestimi i tij u krye nga policia franceze, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tij, që ndodhen ende në arrati.