Një aksion i autoriteteve britanike në Londër ka çuar në arrestimin e Korado Gështënjës, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai dyshohet si i përfshirë drejtpërdrejt në ngjarjen e rëndë të rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, një nga dosjet më të bujshme të hetuara nga drejtësia shqiptare.
Hetimet e deritanishme tregojnë se gjatë qëndrimit të tij në Britaninë e Madhe, Gështënja i është shmangur kapjes duke përdorur një identitet të rremë. Kjo manovër i ka shërbyer atij për t’u fshehur nga sistemi i gjurmimit dhe për të pezulluar identifikimin nga policia vendase, deri në momentin e lokalizimit dhe prangosjes së tij.
Pas arrestimit, autoritetet britanike kanë nisur procedurat ligjore me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Pasi të kryhen të gjitha hapat formalë mes dy shteteve, Gështënja pritet t’u dorëzohet organeve shqiptare të drejtësisë për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të në lidhje me hetimet e SPAK-ut.