Arrestohet në Morinë drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni

Arrestohet në Morinë drejtoresha e SHISH, Vlora…

Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, është ndaluar mbrëmjen e sotme në pikën kufitare të Morinës, teksa po kthehej nga Kosova në Shqipëri.

Sipas raportimeve të mediave kosovare, Hyseni kishte qëndruar gjatë ditës në Kosovë dhe më pas është paraqitur në pikën kufitare të Morinës, ku është ndaluar nga autoritetet shqiptare.

Ndalimi i saj vjen disa orë pasi ndaj Hysenit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie” dhe pezullimi nga detyra, në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t.

Në kuadër të këtij hetimi, Hyseni dyshohet për veprat penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Këto janë akuza në kuadër të hetimit dhe nuk përbëjnë një vendim përfundimtar fajësie.

Më herët gjatë ditës, Kryeministri Edi Rama njoftoi se e kishte liruar Hysenin nga detyra si drejtuese e SHISH, pas publikimit të lajmit për masën e sigurisë ndaj saj.

Ndërkohë, pas ndalimit në Morinë pritet të vijojnë procedurat për ekzekutimin e masës së sigurisë të caktuar nga gjykata.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit