Një operacion i përbashkët i Policisë Kombëtare të Ekuadorit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Europol ka çuar në goditjen e një organizate të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës, me lidhje me struktura kriminale shqiptare dhe polake. Operacioni i koduar “Gran Fénix 0043 – Azkaban” u zhvillua në orët e para të mëngjesit të 8 korrikut në disa zona të vendit dhe përfundoi me arrestimin e 18 personave, mes tyre një shtetas shqiptar dhe një shtetas polak, të dyshuar si drejtuesit kryesorë të rrjetit. Sipas autoriteteve, organizata kishte trafikuar rreth 7.5 tonë kokainë me një vlerë të përllogaritur prej 225 milionë dollarësh në tregjet ilegale.
Në pranga ka përfunduar Pëllumb Daci, shtetas shqiptaro-ekuadorian, i cili sipas hetuesve vepronte si përfaqësues dhe kreu i organizatave kriminale europiane në Ekuador, duke ndërmjetësuar lidhjet mes grupeve të Amerikës së Jugut dhe rrjeteve kriminale në Europë. I arrestuar është edhe shtetasi polak Jakimec Tomasz, ndaj të cilit ishte lëshuar më herët një njoftim i kuq nga Interpol. Autoritetet dyshojnë se ai krijonte kompani fasadë për të fshehur dhe transportuar ngarkesat e drogës përmes rrugëve detare.
Sipas hetimeve, rrjeti kishte nisur aktivitetin të paktën që në vitin 2019 dhe bashkëpunonte me grupe kriminale në Ekuador dhe Kolumbi. Kokaina transportohej nga zonat kufitare drejt provincave Esmeraldas, Guayas, Azuay dhe El Oro, ku fshihej në kontejnerë me mallra të ligjshme si banane, kafe, produkte deti dhe dru, me destinacion Holandën, Belgjikën, Gjermaninë, Italinë, Danimarkën dhe Poloninë. Gjatë operacionit u arrestuan edhe 16 shtetas ekuadorianë, ndërsa u sekuestruan telefona dhe pajisje elektronike që do të analizohen për zbardhjen e plotë të aktivitetit të organizatës dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.