Arrestohet shoferi që përplasi për vdekje babain e 3 fëmijëve dhe u largua nga vendngjarja

Arrestohet shoferi që përplasi për vdekje babain…

Është arrestuar 38-vjeçari që përplasi me automjetin që drejtonte 41-vjeçarin Vasil Hasani, i cili humbi jetën në aksin Rrashbull–Xhafzotaj në Durrës, dhe më pas u largua nga vendngjarja.

Policia njofton se në pranga ka rënë shtetasi R. R., 38 vjeç, banues në Sukth. Pas hetimeve, uniformat blu kanë bërë të mundur identifikimin e automjetit dhe drejtuesit të dyshuar, ndërsa kanë gjetur edhe automjetin tip “Benz A-Class” që dyshohet se ka përplasur biçiklistin.

Aksidenti ndodhi më 21 gusht, rreth orës 02:00, në aksin Rrashbull–Xhafzotaj. Vasil Hasani, 41 vjeç, banues në Rrashbull dhe baba i tre fëmijëve të mitur, po lëvizte me biçikletë kur u përplas nga automjeti.

Sipas Policisë, drejtuesi i mjetit u largua nga vendi i aksidentit. 41-vjeçari u gjet i pajetë më vonë nga një kalimtar, i cili njoftoi autoritetet.

Arrestimi i të dyshuarit është bërë pas 48 orësh hetime nga strukturat e Qarkullimit të Policisë Rrugore të Durrësit.

Pikërisht sot, JOQ Albania publikoi apelin për ndihmë për familjen e Vasil Hasanit, babait të tre fëmijëve të mitur, pas vështirësive të mëdha me të cilat ajo po përballet pas humbjes së tij.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Njoftimi i Policisë:

Aksidentoi me automjetin që drejtonte një biçiklist, me pasojë vdekjen e tij, dhe u largua nga vendi i ngjarjes, pas 48 orësh, Policia identifikon dhe arreston drejtuesin e automjetit.

Në vijim të njoftimit të datës 21.08.2026, për një aksident rrugor me pasojë vdekjen, në aksin rrugor Rrashbull–Xhafzotaj, Durrës, ku u gjet i pajetë shtetasi V. H., 41 vjeç, banues në Rrashbull, Durrës, ju informojmë se:

Pas një pune intensive hetimore nga strukturat e Qarkullimit të Policisë Rrugore të Durrësit, është bërë e mundur identifikimi i automjetit dhe i autorit të dyshuar të aksidentit.

Në vijim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi i shtetasit R. R., 38 vjeç, banues në Sukth, Durrës, si dhe u gjet automjeti tip “Benz A-Class”, me të cilin dyshohet se ka përplasur biçiklistin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.”

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit