Arsenal armesh në banesë dhe "lojë luftash" me fqinjët... Policia gjeti snajper rus, silenciator dhe 'Uzi'

Arsenal armesh në banesë dhe “lojë luftash”…

Policia e Shtetit ka publikuar sot detaje në lidhje me operacionin e paradites të quajtur “Yrsheku”, të zhvilluar në periferi të Tiranës.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar një numër i madh armësh duke filluar nga pistoletat, tek automatikët “kallashnikove”, mitralozët dhe një snajper.

Bëhet fjalë për 15 armë zjarri, si edhe një sasi të madhe municionesh që u sekuestruan në shtëpinë e Gëzim Harokut.

“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15 armë zjarri (1 mitraloz i lehtë, 7 kallashnikovë, 3 pistoleta, 2 armë automatike MP7, 1 pushkë me dylbi dhe 1 armë gjahu) , 10 granata dore, 10 detonatorë, 10 kallëpe me tritol dhe fitil zjarrpërcjellës, një sasi fishekësh, një automjet dhe dy motorë sportivë”,- bëhet e ditur në njoftimin e policisë.

Nga sa mësohet, pushka snajper ishte e prodhimit rus e markës “Dragunov”, i cili njihet për një precizion të lartë. Krahas të tjerave, grupit kriminal i është hapur edhe një armë automatike “Uzi”, prodhim izraelit me silenciator, i përdorur shpesh për eliminime mafioze.

Gjatë operacionit është vënë në pranga Gëzim Haroku dhe është shpallur në kërkim Erigers Mihasi. Ky i fundit ka qenë i arrestuar edhe më parë. Mësohet se ngjarja në fjalë ka të bëjë me të shtënat me armë që u regjistruan të hënën e 15 qershorit drejt kompleksit “Eiffel” në Yrshek.

Në drejtim të kompleksit kanë qëlluar Gëzim Haroku dhe Erigers Mihasi, të cilët janë identifikuar pasi policia ka kqyrur pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë.

Nga pamjet janë marrë targat e motorit dhe më pas janë identifikuar edhe autorët.  Mes palëve ka pasur konflikte të vjetra.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit