Arsenali i armëve në Zveçan, Sveçla: Do të arrestojmë Arsenijeviçin

Arsenali i armëve në Zveçan, Sveçla: Do…

Xhelal Sveçla paralajmëron arrestimin e Aleksandar Arsenijeviçit sapo të hyjë në territorin e Kosovës, ndërsa policia zbulon armë dhe pajisje ushtarake në pronat e tij

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se politikani serb Aleksandar Arsenijeviç do të arrestohet menjëherë nëse tenton të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës. Ai sqaroi se Arsenijeviçi aktualisht nuk ndodhet në vend, por organet e sigurisë janë në kërkim të tij.

“Arsenijeviçi nuk gjendet brenda kufijve të Kosovës. Sapo të hyjë, do të ndalohet menjëherë dhe do t’i dorëzohet institucioneve përkatëse,” deklaroi Sveçla para mediave. Ai shtoi se hetimet janë në vijim dhe se Arsenijeviç është subjekt i interesimit penal prej një kohe të gjatë.

Ministri konfirmoi se gjatë një aksioni të ndërmarrë një ditë më parë janë bastisur tri prona që dyshohet se i përkasin Arsenijeviçit. Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar pajisje për kriptovaluta, një jelek antiplumb dhe sende të tjera që tregojnë për përfshirjen e mundshme të tij në aktivitete kriminale.

“Elementet që u gjetën gjatë bastisjes dëshmojnë qartë se ai ka qenë i përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme për një periudhë të gjatë,” theksoi Sveçla. Ai vuri në dukje se një pjesë e materialeve janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm.

Ndërkohë, Demokracia Serbe, partia që përfaqëson Arsenijeviçin, reagoi duke deklaruar se ai ndodhej në Serbi në momentin e bastisjes dhe paralajmëroi përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore për ta mbrojtur. “Ne do të mbrojmë liderin tonë me të gjitha mjetet ligjore dhe të lejuara. Do të vazhdojmë të përfaqësojmë interesat e popullit serb,” thuhet në deklaratë.

Bastisja e përmendur u krye në fshatin Vallaç të komunës së Zveçanit nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës dhe Prokurorinë, nën vëzhgimin e EULEX-it dhe KFOR-it. Operacioni u konsiderua si një nga ndërhyrjet më të mëdha të këtij viti.

Autoritetet deklaruan se në pronat e kontrolluara u zbuluan raketahedhës dore (zolla), granata dore, pajisje shpërthyese të ndryshme, si dhe një sasi e madhe armësh dhe municionesh. Sipas tyre, materiali i sekuestruar do të mjaftonte për furnizimin e një njësie të tërë terroriste.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit