Arsimi në kolaps, shkollat vuajnë mungesën e mësuesve

Arsimi në kolaps, shkollat vuajnë mungesën e…

Sikur të mos mjaftonin të gjithë problemet që ka vendi ynë që nga korrupsioni i zyrtarëve e te mungesa e investimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve, tashmë listës së gjatë i është shtuar dhe problemi i mungesës së mësuesve.

Nga viti në vit interesi i studentëve për këtë degë ka ardhur në rënie, duke bërë që çdo vit të diplomohen gjithnjë e pak të rinj. Nga ana tjetër sistemi arsimor humb mesatarisht 600 mësues në vit nga dalja e tyre në pensioni, por vetëm 40% e kësaj vakance të krijuar arrin të zëvendësohet me mësues të rinj.

Pas mjekësisë, dhe sistemi arsimor duket se po futet në kolaps! Sipas përfaqësueseve të Sindikatës së Arsimit, kjo situatë është krijuar pasi ata që zgjedhin mësuesinë si profesion e dinë se nuk do të bëhen asnjëherë të pasur nga kjo punë. Mungesa më e madhe për mësues është në sistemin 9-vjeçar, i cili në shumë zona rurale ka një numër fare të vogël nxënësish.

Gjendur në këto kushte, nxënësit e këtyre shkollave bëjnë mësim me një numër të reduktuar mësuesish që jo pak raste japin mësim dhe për lëndët që nuk janë të specializuar. Mungesa e nxënësve në shkollat 9-vjeçare ka sjellë gjithashtu një ulje të numrit të atyre që zgjedhin të vijojnë arsimin e mesëm. Vihet re se edhe ata që e vazhdojnë shfaqin mungesa formimi në secilin program studimi. Shkak i kësaj është sistemi i cunguar nga mungesa e mësuesve në ciklin e parë të formimit arsimor.

Edhe pse qeveria e ka konsideruar arsimin si degë me prioritet duke premtuar paga për mësimdhënësit deri në 900 euro, asgjë nuk ka ndryshuar pasi gjithnjë e më pak të rinj diplomohen në mësuesi ndërkohë që sistemi nxjerr jashtë çdo vit shumë profesionistë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit