“Arsimi si luks”/ Shqipëria aplikon 15% tarifë doganore për çantat e shkollës, në BE është 0%

“Arsimi si luks”/ Shqipëria aplikon 15% tarifë…

Çdo shtator vjen me një listë të gjatë shpenzimesh për çdo familje shqiptare që ka fëmijë në shkollë. Ndërkohë, jo të gjithë e dinë të vërtetën e hidhur që fshihet pas çmimeve të mjeteve shkollore.

Shqipëria aktualisht aplikon një tarifë doganore prej 15% për çantat e shkollës, si shembull, duke i klasifikuar ato praktikisht si mallra luksi, ndërkohë që në Bashkimin Evropian kjo tarifë është 0%.

Kjo politikë fiskale për mjetet shkollore rëndon ndjeshëm mbi buxhetet familjare, duke e bërë edukimin e fëmijëve më të kushtueshëm në vendin tonë krahasuar me vendet fqinje apo vendet e BE-së.

Ndërkohë që numri i fëmijëve në shkolla po bie, një prind në Shqipëri paguan tarifën më të lartë në rajon:

  • Shqipëria: 15%
  • Kosova: 10%
  • Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut: 5%
  • Serbia dhe BE-ja: 0%

Goditje mbi konsumatorin

Ekspertët dhe shoqatat e biznesit paralajmërojnë se kjo diferencë e madhe po deformon tregun.

Për shkak të çmimeve të larta, shumë qytetarë zgjedhin t’i blejnë mjetet shkollore në vendet fqinje ose i drejtohen tregut informal.

Kjo bën që bizneset e rregullta vendase të humbasin shitje, ndërsa shteti humbet të ardhura që mund të mblidheshin përmes një tregu më të gjallë dhe formal.

Megjithëse bizneset kanë kërkuar prej tre vitesh uljen e tarifës nga 15% në 5%, qeveria nuk ka ndryshuar politikën.

Pyetja që mbetet për mijëra prindër është: Pse shteti shqiptar zgjedh t’i tarifojë mjetet shkollore të fëmijëve më rëndë se vendet e tjera të rajonit dhe BE-së?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit