“Adriatik Tresa është një 40-vjeçar, i bënte në dhjetor. Është nga fshati Baldushk. Është një njeri që në të kaluarën ka punuar vetëm në ndërtim. Nuk ka ngarkesë kriminale në Shqipëri. Nuk është i përfshirë në vrasje. Nga njohjet që kam unë, nuk më rezulton i përfshirë. Është një trafikant kokaine. Njohjet dhe bazën e ka vendosur në Britani. Pasaportën e ka marrë në vitin 2011 dhe është larguar nga Shqipëria. Në Britani rezulton i dënuar, i është kapur një ngarkesë, në atë kohë kanë kërkuar të dhëna për vilën në Baldushk. Ky është momenti i parë që ky personazh është ekspozuar. U detyrua të lëvizë dhe iku në Ekuador”.
Gazetari shtoi se në rezidencën ku jetonte Tresa ka edhe shumë shqiptarë të tjerë. Hoxha zbulon se Tresa ishte i integruar me biznese legale në Ekuador, ndërsa bashkëshorten e kishte shtatzënë.
“Sot në atë zonë ka shqiptarë nga Dibra, Fieri, Tirana. Çdo shqiptar që rri aty, rri sepse është zonë e sigurt. Tresa në Ekuador kishte biznese legale, farmaci dhe punishte të përpunimit të drurit. Ai ishte i integruar, kishte depo farmaceutike. Eliminimi i tij është bërë me urdhër të karteleve lokale. Diçka po ndodh, kjo do të thotë se po ndryshohen linjat atje. Ajo që i ka ndodhur Tresës është një ngjarje që ka të bëjë me kartelet e Ekuadorit”, tha Hoxha.