Prokuroria e Posaçme (SPAK), në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka intensifikuar hetimet për dosjen e njohur si “Aruba”, e cila lidhet me dyshimet për pastrim parash me origjinë nga trafiku ndërkombëtar i drogës përmes investimeve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.
Gjatë dy ditëve të fundit, me autorizim të Gjykatës së Posaçme, janë kryer kontrolle në ambientet e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), ku hetuesit kanë sekuestruar dhjetëra dosje që lidhen me kompani të përfshira në hetim dhe me lejet e dhëna për ndërtimin e kullave, resorteve dhe projekteve strategjike.
Sipas burimeve, në fokus të hetimit janë gjashtë kompani, të dyshuara se kanë përdorur investimet në sektorin e ndërtimit për të fshehur para të siguruara nga aktiviteti kriminal. Praktikat e sekuestruara lidhen me projekte në zona bregdetare si Palasa, Gjiri i Lalzit, Vlora, si dhe me investime në Tiranë.
Hetimi nisi pas të dhënave të siguruara nga disa vende europiane, kryesisht Britania e Madhe, Spanja dhe Belgjika, ku dyshohet se grupe kriminale të trafikut të kokainës kanë përdorur Shqipërinë për pastrimin e të ardhurave përmes investimeve të mëdha në pasuri të paluajtshme.
Në muajin qershor, SPAK vendosi masa sigurie ndaj disa biznesmenëve, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar në skemën e pastrimit të parave të ardhura nga trafiku i narkotikëve nga Amerika Latine. Në dosje përmenden grupet e drejtuara nga Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, si dhe persona të tjerë që dyshohet se kanë luajtur rol në investimin e këtyre fondeve në Shqipëri.
Sipas hetimeve të SPAK, dosja është ndërtuar edhe mbi takime të dokumentuara të personave të dyshuar në vende të ndryshme, përfshirë Antverpin në Belgjikë, Majorkën në Spanjë dhe takimin e zhvilluar në ishullin Aruba, në Antilet Holandeze.
Këto takime, të zhvilluara përgjatë viteve 2018-2021, dyshohet se kanë pasur në fokus organizimin e trafikut të narkotikëve, por edhe mënyrat për investimin e parave në Shqipëri.
Dosja “Aruba” është shoqëruar edhe me debate politike, pasi është pretenduar për përfshirje të emrave të zyrtarëve të lartë. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se në takimin e Arubës kanë marrë pjesë ish-zyrtari i lartë i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, ish-ministri Damian Gjiknuri dhe Ergys Agasi, aktualisht i shpallur në kërkim për një tjetër çështje.
Ndërkohë, kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë një raportimi në Komisionin e Ligjeve, ka hedhur poshtë pretendimet për mosveprim të Prokurorisë së Posaçme, duke deklaruar se çdo çështje trajtohet sipas provave dhe se të gjithë janë të barabartë para ligjit.
“Kur hetimet të përfundojnë, mund të bëjmë transparencë mbi detaje të caktuara. Për SPAK-un të gjithë janë të barabartë para ligjit”, është shprehur Braho.
Hetimet për dosjen “Aruba” vijojnë, ndërsa pritet që analizimi i dokumenteve të sekuestruara nga KKT të sjellë të dhëna të reja mbi kompanitë, lejet e ndërtimit dhe personat e përfshirë në këtë skemë të dyshuar.