Një qytetar ka denoncuar në redaksinë e JOQ gjendjen e një rruge në zonën e Kombinatit, në njësinë bashkiake Sharrë, e cila sipas tij është lënë prej kohësh pa ndërhyrje nga institucionet.
Sipas qytetarit, për shkak të mungesës së investimeve dhe mirëmbajtjes, banorët janë detyruar ta shtrojnë vetë rrugën në mënyrë që të bëhet e kalueshme për automjetet.
Ai tregon se banorët e zonës po punojnë me forcat e tyre për të përmirësuar gjendjen e rrugës, pasi deri më tani askush nuk ka ndërhyrë për ta rregulluar.
Qytetari shpreh gjithashtu pakënaqësinë për mungesën e reagimit nga institucionet, duke ironizuar se në fund banorëve u kërkohet vetëm të votojnë dhe të presin ndryshim, ndërsa problemet e përditshme mbeten pa zgjidhje.
Mesazhi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ! Kjo është rruga në zonën tonë. Na është dashur ta shtrojmë vetë, sepse askush nuk ka ardhur ta rregullojë. Banorët po punojnë me forcat e tyre për të bërë të mundur kalimin e makinave. Njësia Bashkiake Sharrë, zona Kombinat. Mesa duket, rrugët duhet t’i bëjmë vetë… dhe pastaj na thonë “votoni dhe prisni ndryshim”.