Askush nuk vepron - Blendi Gonxhe në shkelje të të gjitha neneve të ligjit për Konfliktin e Interesit

Askush nuk vepron – Blendi Gonxhe në…

Në Shqipëri ekziston një institucion shtetëror që quhet Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPI). Detyra e këtij inspektoriati, siç mund të shihet dhe nga emri nuk është vetëm verifikimi i pasurive, por edhe verifikimi i përputhshmërisë se detyrës me ndonjë konflikt interesi të mundshëm që një zyrtar i lartë i shtetit ka apo mund të ketë me detyrën. Fjala vjen, një biznes në emër të tij apo personave të afërm, ku vendimmarrja mund të ndikojë direkt në mbarëvajtjen e punëve, apo përfitimi në mënyrë të padrejtë nga fondet publike dhe favorizimet e mundshme që mund të dëmtojnë konkurrencën në treg.

Drejtori Biznesmen
Por, megjithëse në ballinën e faqe zyrtare të ILDKPI, është ligji në fjalë ai nuk zbatohet për të gjithë njëlloj. Se sa i shtrirë është ky fenomen mes zyrtarëve të lartë të shtetit, që janë aksionerë në një veprimtari biznesi dhe mbajnë dhe një detyrë publike që lidhet direkt me të kjo është detyra e zyrtarëve përkatës ta zbulojnë, por ne si gazetë kemi kryer një vëzhgim mbi pronarin e kompanisë Albarent, e cila merret me dhënie makinash me qera, transport ndërkombëtar udhëtarësh dhe mallrash, krijim agjensish turistike, servise dhe shitblerje automjetesh. Pronari i saj me 100% të aksioneve dhe ortak i vetëm sipas Open Data Albania, është Blendi Gonxhe, njëkohësisht dhe drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor.

Administratore e kompanisë është bashkëshortja e tij Elda Gonxhja. Detyra e shërbimit të transportit rrugor, është licensimi i mjeteve për transport udhëtarësh e mallrash të të gjitha tonazheve, targat, verifikimi i shitblerjeve të automjeteve, dhënia e çertifikatave për transport ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave etj. Pra të gjitha shërbimet që ofron dhe kompania ku pronar është drejtori Gonxhe. Konflikti i interesit është i pastër. Fjala vjen, zoti Gonxhe nuk është drejtor në ndonjë sektor të Ministrisë së Bujqësisë, ku merret me mbarëvajtjen e mbarështimit të gjedhit, apo të rritjes së midhjes (që dhe në këtë rast do ishte konflikt interesi). Por është në një post ku kryen licensimit e dhe kontrollin e automjeteve të subjekteve që ushtrojnë aktivitet në të njëjtën fushë ku është shtrirë dhe biznesi i tij!

Ligji
Në përkufizimin e e parë të ligjit në fjalë thuhet: “Konflikt i interesit” është gjendja e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave privatë të një zyrtari, në të cilën ai ka interesa privatë, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike”!

Më qartë se kaq ligji nuk mund të shprehej.

Më tej, e gjitha struktura juridike është ngritur mbi këtë përkufizim, pasi ky është dhe qëllimi i ligjit. Në rast, se zoti Gonxhe mban atë detyrë dhe njëkohësisht edhe biznesin që lidhet në mënyrë të ngushtë me detyrimet e tij ligjore, atëherë është në shkelje që në momentin që ka hapur derën e asaj zyre. Këtë pikë e përforcon më tej dhe neni 31 i ligjit kur flet për detyrimet e një zyrtari të lartë apo të mesëm “nuk mund të ushtrojnë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a të përfaqësuesit të organizatave, të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni, dhe nuk mund të jenë të punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër”.

Por edhe në rast se ka transferuar aksionet tek bashkëshortja e tij, kjo nuk ndryshon asgjë pasi neni 35 i ligjit e përcakton qartë se statusi nuk ndryshon, kur bëhet fjalë për persona të rrethit të afërt. Në këtë rast kalimi i aksioneve tek bashkëshortja. “Person i lidhur, për qëllim të neneve 27 deri 33 të këtij ligji, për kufizimet e interesave privatë të zyrtarëve, të përcaktuar në nenet e tjera të këtij seksioni, janë vetëm bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore, prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es dhe bashkëjetuesit/es. Në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur, ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit dhe personit të lidhur i kufizohen të drejtat pasurore për to, në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë zyrtarit. Këto kufizime nuk zbatohen për personat e lidhur me personat e lidhur me zyrtarin”.

Heshtja e ILDKPI
Ky ligj ka 51 nene, dhe nuk kërkon ndonjë njohuri të madhe juridike, për ta kuptuar se Blendi Gonxhe me detyrën që mban ka shkelur thuajse çdo nen të tij. Eshtë object i hetimi, dhe i shkarkimit nga ana e institucioneve përkatëse “Çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj nga zyrtarët përbën shkelje disiplinore, pavarësisht nga përgjegjësia penale apo administrative. Masat disiplinore zbatohen në përputhje me ligjet, që rregullojnë marrëdhëniet e punës dhe/ose statusin e zyrtarëve”, thuhet në nenin 45 të tij. Por po bëhen dy vjet që nga emërimi i Zotit Gonxhe në këtë detyrë, dhe askush nuk i ka trazuar ujrat. Duhet të kujtojmë që Gonxhe erdhi në këtë detyrë pas largimit të zotit Arben Isarai, i cili dha dorëheqjen për arsye morale, pas arrestimit të vëllait të tij për trafik droge./Mapo.al/

LEXO EDHE: 

Denoncimi/ Blendi Gonxhe përfiton miliona lekë nga buxheti i shtetit, prokuroria ta hetojë

Më i akuzuari nga drejtorët/ Blendi Gonxhe vendos haraçin e vendit të punës

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit