Ata që punojnë nga shtëpia janë më të shëndetshëm, çfarë thotë studimi

Ata që punojnë nga shtëpia janë më…

Një studim i botuar në “Journal of Occupational Health”, shqyrtoi se si ndikon puna nga shtëpia në shëndetin dhe jetën e punonjësve . Ai identifikoi tri tema kryesore: mjedisin e punës në shtëpi, ndikimin në karrierë dhe ndikimet shëndetësore.

Studimi tregoi se, ndonëse ata që punojnë nga shtëpia ushqehen më shëndetshëm dhe kanë më pak stres, gjithashtu një pjesë e tyre kryejnë më pak aktivitet fizik dhe shtojnë më shumë peshë.

Mirëpo jo të gjithë punonjësit kanë këto përfitime nga puna në distancë. Punonjësit me të ardhura më të larta dhe më shumë kontroll mbi kohën e tyre kanë përfitime më të mëdha, sesa ata që kanë përgjegjësi familjare dhe ndihen shpeshherë më të stresuar. Gjithashtu, puna gjatë fundjavave dhe në orët e vona të mbrëmjes është fenomen i zakonshëm për ata që nuk punojnë në zyrë.

Profesor Neil Greenberg, një nga autorët e studimit dhe psikiatër në King’s College London, theksoi se puna nga shtëpia duhet të merret po aq seriozisht, sa puna në zyrë. Ai sugjeroi që menaxherët të mbështesin punonjësit për të përmirësuar mjedisin e punës dhe të sigurojnë që të rriten përfitimet e punës në distancë.

Gjithashtu, paralajmëroi se refuzimi i opsioneve të punës nga shtëpia mund të rezultojë në humbje talentesh dhe zvogëlim fleksibiliteti për organizatat. Sipas tij, ky lloj fleksibiliteti është thelbësor për të përballuar krizat e ardhshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit