Një ngjarje që ngjan me skenarët e filmave me spiunazh dhe krim të organizuar ka çuar në pranga biznesmenin shqiptar Ermal Beqiraj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për dosjen e abuzimeve me tenderët e AKSHI-t. Beqiraj është arrestuar në Francë pasi u kap duke pilotuar një avion të vogël civil mbi centralin bërthamor të Penly në Normandi, një nga objektet më të ndjeshme të sigurisë kombëtare franceze.
Sipas medias franceze Le Journal du Dimanche, avioni që pilotohej nga Beqiraj fluturoi në një lartësi prej 3.500 këmbësh, nën kufirin e lejuar ligjor për zonat bërthamore. Forcat Ajrore Franceze ngritën menjëherë një mjet ushtarak ajror, duke e detyruar avionin e tij të uljes në aeroportin e Albert, ku policia e priste për ta arrestuar.
Profili i biznesmenit shqiptar ka alarmuar shërbimet franceze të sigurisë, të cilat nuk e përjashtojnë as pistën e spiunazhit. Gjatë kontrollit fizik, Beqirajt i u gjetën tre pajisje AirTag (GPS) të fshehura në rroba, çka ka ngritur dyshime se ai mund të ketë vepruar nën presionin apo porosinë e një palë të tretë.
I marrë në pyetje, Beqiraj ka dhënë përgjigje të paqarta. Ai është justifikuar para hetuesve se devijimi i lartësisë ndodhi sepse “po fliste në telefon me nënën” ndërsa fluturonte mbi centralin bërthamor ku po ndërtohen reaktorët e rinj EPR-2.
Pas një gjykimi të përshpejtuar ku u dënua me 7.000 euro gjobë për shkeljen e hapësirës ajrore, Beqiraj i është dorëzuar Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO) në Francë dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.
Ermal Beqiraj, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, kërkohej nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) me masë sigurie “Arrest me burg”. Ai akuzohet se ka përfituar mbi 1.1 milion euro tenderë publikë përmes shantazhit, dhunës dhe ndërhyrjeve..
Beqiraj përballet me një sërë akuzash të rënda nga drejtësia shqiptare, përfshirë “Konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje të paligjshme të lirisë”, “Shkelje të barazisë në tenderë”, “Krijim të grupit të strukturuar kriminal”, “Korrupsion” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”.