Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e së premtes qytetin e Sarandës, ku një 50-vjeçar mbeti i plagosur rëndë pasi u qëllua me armë zjarri pranë biznesit të tij.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:15 në lagjen nr. 4 të Sarandës. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, i plagosur ka mbetur shtetasi Th. R., 50 vjeç, i identifikuar si Thimjo Rubati, i cili u transportua me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku po merr ndihmë mjekësore. Burime mediatike bëjnë me dije se ai ndodhet në gjendje të rëndë dhe po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona të pajisur me skafandra, të cilët lëviznin me një motomjet. Ata kanë hapur zjarr në drejtim të 50-vjeçarit dhe janë larguar me shpejtësi menjëherë pas atentatit.
Pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën, ndërsa janë ngritur pika kontrolli dhe po kryhen kërkime për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes.
Sipas raportimeve mediatike, Thimjo Rubati është një person me precedentë penalë, i njohur për autoritetet për vepra që lidhen me trafikimin e klandestinëve, kontrabandën, armëmbajtjen pa leje, si dhe i skeduar për trafik të mjeteve motorike.
Një tjetër detaj që po hetohet është fakti se atentati ndodhi vetëm pak metra larg vendit ku një natë më parë u dhunua oficeri i Policisë, Mihal Velço. Sipas raportimeve, për atë episod dyshohet se janë përfshirë djali i Rubatit dhe dy persona të tjerë. Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka një konfirmim zyrtar nga Policia që lidh dy ngjarjet, ndërsa grupi hetimor po verifikon nëse ato kanë lidhje mes tyre.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që autoritetet të hedhin më shumë dritë mbi motivet e atentatit dhe identitetin e autorëve.