Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Elden Tarjan, Kristian Ymerin, i njohur si “Shkambi”, dhe Vinçesk Pirolin, të cilët dyshohet se po përgatiteshin të kryenin një atentat.
Tre të arrestuarit u paraqitën këtë të hënë përpara gjykatës, nën masa të rrepta sigurie dhe të shoqëruar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH). Sipas burimeve, ata nuk kanë dhënë deklarime gjatë seancës gjyqësore.
Të tre u arrestuan pak ditë më parë gjatë operacionit policor të koduar “Detajet”. Sipas hetimeve, ata dyshohet se po përgatiteshin të kryenin një vrasje, ndërsa gjatë ndërhyrjes policia u sekuestroi tri pistoleta, municion luftarak, një motomjet dhe një automjet tip “Volkswagen”.
Por dyshimet e hetuesve ndaj tyre nuk lidhen vetëm me atentatin e dyshuar si të planifikuar. Sipas burimeve, tre të arrestuarit po hetohen edhe për përfshirje të mundshme në tri ngjarje të tjera kriminale, të dyshuara si vrasje me pagesë.
Mes ngjarjeve për të cilat ata dyshohen është edhe ekzekutimi i Artan Myrtajt, i njohur si “Tani i Ruzhdiut”, në Sarandë. Hetuesit dyshojnë gjithashtu për përfshirjen e tyre në dy vrasje të tjera, një në qarkun e Shkodrës dhe një në Mirditë.
Vinçesk Piroli, 38 vjeç, dyshohet nga hetuesit se ka pasur rolin e ekzekutorit kryesor në këto ngjarje. Ndërkohë, Piroli dhe Kristian Ymeri, 34 vjeç, u arrestuan teksa lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi, të armatosur dhe të pajisur me skafandra.
Sipas dyshimeve të grupit hetimor, Elden Tarja, 25 vjeç, kishte rolin për t’i ndihmuar dy të tjerët të largoheshin me automjet pas kryerjes së krimit të planifikuar.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht qëllimin e atentatit të dyshuar, si dhe për të verifikuar nëse tre të arrestuarit kanë lidhje me vrasjet e tjera. Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, ndaj tyre mbetet në fuqi prezumimi i pafajësisë.