Atentati ndaj biznesmenit Bujar Nasufi/ Doreza e djegur nxjerr në skenë dy vëllezër nga Përmeti

Atentati ndaj biznesmenit Bujar Nasufi/ Doreza e…

Një dorezë gjysmë e djegur, e gjetur pas vrasjes së biznesmenit Bujar Nasufi, është kthyer në provën kyçe që mund të çojë në zbardhjen e atentatit tronditës të ndodhur më 12 janar 2025 në Tiranë, pranë zonës së “Pallatit me Shigjeta”.

Autori, i cili lëvizte me motor, e dogji motomjetin në një prej tuneleve që lidh zonën e Kombinatit, duke shmangur lënien e gjurmëve të gishtërinjve falë dorezave që kishte veshur. Por një prej këtyre dorezave nuk u dogj plotësisht. Hetuesit zbuluan material biologjik në të, nga i cili është përftuar një profil i plotë ADN-je.

Burime të besueshme pranë grupit hetimor bëjnë me dije se profili i ADN-së është dërguar për krahasim në bazën ndërkombëtare të Interpolit, ndërkohë që është urdhëruar edhe krahasimi me ADN-në e nënës së dy vëllezërve nga Përmeti, të cilët dyshohet se kishin konflikte të hapura me viktimën për çështje pronësie.

Vëllezërit në fjalë, të skeduar më parë në Spanjë për trafik ndërkombëtar të kokainës, janë vënë nën hetim për një pistë të mundshme hakmarrjeje, pasi babai i tyre kishte shitur një pronë në emër të Bujar Nasufit – veprim që besohet të ketë nxitur përplasjen mes tyre.

Bujar Nasufi u ekzekutua në sy të bashkëshortes, teksa po parkonte makinën pranë banesës. Autori iu afrua dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit