Policia greke ka zbardhur një përplasje me armë zjarri të ndodhur në janar të vitit 2025 në Selanik, ku në shënjestër dyshohet se ishte 32-vjeçari shqiptar Danjel Dushku.
Në orët e mëngjesit të së mërkurës, oficerët e Nëndrejtorisë Kundër Krimit të Organizuar të Greqisë Veriore kanë arrestuar tre shtetas shqiptarë, të dyshuar për përfshirje në tentativën e vrasjes. Në pranga kanë rënë Robert Elezaj, 33 vjeç, Sergo Elezaj, 31 vjeç dhe Rueldi Dragjoshi, 26 vjeç.
Ndërkohë, Danjel Dushku është shpallur në kërkim nga autoritetet greke.
Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e 8 janarit 2025, kur tre të dyshuarit dyshohet se iu afruan Dushkut në një zonë të Selanikut dhe hapën zjarr ndaj tij.
Sipas hetimeve, Robert Elezaj dyshohet se qëlloi me pistoletë në drejtim të 32-vjeçarit, por nuk arriti ta plagoste. Nga të shtënat mbeti i lënduar një person që ndodhej pranë Dushkut, ndërsa plumbat shkaktuan dëme edhe në një dyqan.
Edhe Rueldi Dragjoshi dyshohet se ka qëlluar në drejtim të Dushkut, pa e goditur atë. Ndërsa Sergo Elezaj dyshohet se i ka drejtuar armën 32-vjeçarit, por autoritetet greke nuk kanë mundur të përcaktojnë nëse ai ka qëlluar.
Sipas policisë, Sergo Elezaj dyshohet se ka pasur rol ndihmës në ngjarje, pasi ka transportuar dy personat e tjerë me një automjet me qira drejt vendit ku ndodhi përplasja dhe ka qëndruar me ta deri në momentin e largimit.
Nga ana tjetër, hetuesit grekë dyshojnë se edhe Danjel Dushku ka përdorur armë zjarri gjatë përplasjes. Sipas autoriteteve, ai ka qëlluar në drejtim të tre personave, por të shtënat e tij nuk kanë shkaktuar të plagosur. Plumbat kanë dëmtuar automjetin me të cilin dyshohet se kishin mbërritur të arrestuarit, si dhe një tjetër makinë të parkuar.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar të gjitha rrethanat e përplasjes dhe rolin konkret të secilit prej personave të përfshirë.