Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, segmente të shtetit, politikës dhe malavitës të përzier në ngjarje

Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, segmente të…

Babai i Andi Malokut, i cili mbeti i vrarë në pritën e organizuar për ekzekutimin e prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, i ka dërguar një letër drejtuesve më të lartë të shtetit, ambasadorëve të SHBA e BE, krerëve të Prokurorisë, SPAK, SHISH dhe të Policisë së shtetit.

Kryefjalë e letrës së tij ka qënë kërkesa për ndërhyrjen në gjendjen e paligjshmërisë së hetimit në lidhje me atentatin ndaj prokurorit të Durrësit ku mbeti i plagosur Aleksandër Laho dhe i vrarë djali i tij Andi Maloku.

Sipas tij “nuk janë ngritur postblloqet që në momentet e para të pas atentatit dhe s’është treguar kujdesi i nevojshëm për gjetjen e burimeve të provave dhe dëshmitarëve në lidhje me këtë fakt, në kushtet e flagrancës”. Për të ka qënë pakujdesia e autorëve të këtij krimi që kanë lënë aq shumë prova që kjo ngjarje të shkojë drejt zbardhjes. Pasi nga forca policore ka qënë një neglizhencë e madhe, sidomos nga Drejtoria vendore e Policisë Durrës.

Ndërkohë që babai i Andi Malokut zbërthen në letrën e tij të gjithë skemën e lidhjeve të zv.kryeministrit Erjon Braçe, ish ministrit të Drejtësisë së LSI Nasip Naço dhe zyrtarëve të tjerë të lartë me anëtarët e bandës së Durrësit dhe të Lushnjës, të cilët janë të akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në atentatin ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja.

Këto lidhje sipas tij shkojnë dhe në radhët e policisë së shtetit dhe asaj gjyqësore, të cilat të nxitur nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama po kërkojnë të varrosin ngjarjen e rëndë për të shpëtuar Liridon Pulën dhe njerëzit e inkriminuar në pronat e Lalzit.

“Deri më sot nuk ka asnjë informacion apo variant operativ në lidhje me autorët e ngjarjes dhe bashkëpunëtorët e tyre që të jetë nxjerrë nga kjo drejtori me qëllim që të ndihmohet hetimi.

Oficerët e policisë gjyqësore Arben Tare dhe Lorenc Dervishi janë drejtpërdrejt të përfshirë në këtë ngjarje duke mbrojtur interesat e grupeve kriminale të interesuara që ngjarja të ndodhte dhe që e realizuan këtë atentat.

Pavarësisht se u ndërruan nëndrejtori i policisë, shefi dhe zv.shefi i komisariatit të përfshirë direkt në mbrojtjen e interesave të bandave, përsëri dy oficerët Tare dhe Dervishi qëndrojnë në detyrë dhe nuk cënohen nga askush. Ata vijojnë duke u shërbyer padronëve të tyre kundrejt përfitimeve që marrin”, shkruan në letrën e tij babai i të ndjerit Andi Maloku.

Njëherësh ai zbërthen lidhjet reale mes krerëve të policisë, politikës me elementëve kriminalë, përfshirë dhe Redjan Rrajën e Ariol Halilajn, të dy të arrestuar për atentatin.

“E di gjithë qyteti i Durrësit që oficeri Arben Tare është shoku i ngushtë i Daut Naços, ish drejtorit të D.R.SH.TR Durrës dhe vëllai i ish deputetit dhe ish ministrit të Drejtësisë Nasip Naço. Arben Tare rezulton lidhje e ngushtë e shtetasit Redjan Rraja, autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.

Arben Tare është personi që merr rrogë mujore nga Besnik Nerjaku, me pseudonimin “Kili”, i cili kishte të punësuar si ‘ushtar’ shtetasin Ariol Halilaj. Ky i fundit është autori që ruajti objektivin e atentatit dhe ka marrë me makinë në fshatin Shkafanë autorët. Më saktë dy prej tyre.

Arben Tare njeh babanë e Ariol Halilajt dhe xhaxhallarët e tij, të cilët i ka nga një zonë dhe janë në lidhje shoqërore e miqësore. Ky shtetas ka qëndruar në lidhje shoqërore shumë herë me Redjan Rrajen dhe grupin e tij shoqëror Plarent Dervishin, Besnik Nerjakun e Lulzim Vorën tek lokalet me emrin “Vivias”, “Palace” etj,!

Drejtor i vrasjeve në drejtorinë e Përgjithsme të Policisë së Shtetit është shtetasi Arben Dashi, që na rezulton lidhje e ngushtë shoqërore e shtetasit Astrit(Petrit) Rama, Drejtor i Meterologjisë. Rama është lidhje e ngushtë e shtetasit Erjon Braçe, me cilësinë e zv.kryeministrit. Mjafton të shikoni thirrjet telefonike mes tyre apo të pyesni këdo që i njeh dhe rezulton se ky është lidhje e drejtëpërdrejtë e Braçes dhe benjami i tij.

Petrit Rama ka pasur njohje me familjen e Liridon Pulës dhe falë këtyre njohjeve ka ndikuar në emërimin dhe qëndrueshmërinë e tij në karrierë. Është ndikim i këtyre lidhjeve që z.Braçe pati një reagim të tillë agresiv dhe të pashpjegueshëm për arrestimin e Liridon Pulës, çka e pasoi me një sërë shkeljesh të drejtëpërdrejta me veprimet e tij”, denoncon babai i Andi Malokut.

Njëherësh ai zbardh dhe lidhjet e numrit dy të qeverisë, Erjon Braçe me një pjestar të bandës së Lushnjës, i akuzuar si organizator i atentatit ndaj prokurorit Ndoja në Durrës. Këtu përmend dhe deklaratat në mbrojtje të ish kreut të kadastrës së Durrësit Liridon Pulaj, pjesëmarrjen në gjyq dhe akuzat ndaj prokurorit të plagosur, në përpjekje për të ushtruar presion që të mbulohen abuzimet me tokat në Gjirin e Lalzit dhe në tërësi në qytetin e Durrësit.

“Erjon Braçe është deputet në zonën e Lushnjës dhe të gjithë e dinë lidhjen e tij me shtetasin Julian Sula dhe bandën e re të Lushnjës, ndikimin e tij në ndodhjen e kësaj ngjarjeje pas arrestimit të realizuar nga Arjan Ndoja të drejtuesve të Kadastrës Durrës. Dhe pikërisht të njërit prej tyre, Liridon Pulës, që Braçe deklaroi se nuk e njihte, por ‘ishte vënë në dijeni të presionit të bërë për një muaj rresht nga prokuroria e Durrësit që të kryente veprime të paligjshme’.

Për ironinë e fatit, pasi Lirodon Pula qëndroi në burg, Braçe dha një intervistë ku përmend fakte të pavërteta me qëllim cënimin e imazhit të prokurorisë dhe gjykatës Durrës, ditën kur mori pjesë paturpësisht në gjyqin për caktimin e masës së sigurisë. Duke qënë në shprehje të hapur të ndikimit të paligjshëm të pushtetit ekzekutiv mbi pushtetin gjyqësor.

Gjithathashtu ai doli më pas në një konferencë shtypi ku u përpoq të bënte avokatin e shtetasit Liridon Pula dhe paralajmëroi kallzim për ndjekje penale për prokurorin Arjan Ndoja.

Çuditërisht shtetasi Genti Ibrahimi, me cilësinë e kryetarit të KLP-së në Shqipëri, doli në konferencë shtypi më pas dhe tha se deklaratat e kryeministrit në Parlament e më gjërë dhe të zv.kryeministrit, ishin deklarata politike. Ai u rekomandonte t’i drejtoheshin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në lidhje me pretendimet e tyre ndaj prokurorit”, deklaron babai i Andi Malokut, të vrarë në atentatin ndaj prokurorit Ndoja./Pamfleti

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit