Zbardhen detaje të reja nga atentati mafioz i ndodhur mesditën e 26 prillit në Balldren të Lezhës, ku mbetën të vrarë Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, Gentiana.
Sipas hetimeve, çifti ishte vënë nën vëzhgim që në momentin kur kishte dalë nga një lokal ku kishin drekuar dhe po ktheheshin drejt banesës. Pamjet filmike tregojnë se në dalje të Balldrenit, automjeti i tyre është bllokuar fillimisht nga një makinë tjetër. Viktima ka tentuar të shmangë sulmin duke bërë marsh mbrapa, por në atë moment një automjet i dytë është afruar në krah dhe ka hapur zjarr me breshëri automatiku.
Pas bllokimit të mjetit, autorët dyshohet se kanë zbritur dhe kanë qëlluar sërish në drejtim të çiftit, duke u siguruar për ekzekutimin. Më pas janë larguar nga vendngjarja me dy automjete, një skemë që, sipas hetuesve, tregon një organizim të mirëfilltë të atentatit.
Nga analizimi i kamerave të sigurisë, policia ka identifikuar një automjet tip “Audi A4”, i cili dyshohet se është përdorur për ndjekjen e lëvizjeve të viktimave. Ky mjet u gjet i braktisur në fshatin Torovicë, pranë një kanali, ku brenda u sekuestruan dokumente që dyshohet se u përkasin autorëve.
Dy ditë pas ngjarjes, në banesën e një shtetasi me iniciale B.K., u gjet edhe një automjet tjetër, tip “Volkswagen Polo” pa targa, i dyshuar se është përdorur në atentat. Brenda tij u sekuestruan dy gëzhoja arme, ndërsa mjeti kishte dëmtime në xhama.
Në lidhje me ngjarjen janë shpallur në kërkim tre persona: Adriano Mhillaj, Florin Mhillaj dhe Renato Mhillaj. Sipas Prokurorisë së Lezhës, pista kryesore e hetimeve mbetet ajo e hakmarrjes, ndërsa vijojnë veprimet për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të krimit.