
Në datë 10 shkurt iu bë atentat biznesmenit Ardjan Gjeloshi. Ky i fundit mbeti i plagosur, teksa i vrarë 70-vjeçari Selman Mihana, ekonomist pranë kompanisë së përpunimit të inerteve në Gurëz të Kurbinit.
Gjeloshi ishte pronar i kompanisë dhe ishte shënjestra e autorëve, por punëtori i tij i doli në mbrojtje dhe mbeti i vdekur. Nga hetimet paraprake mësohet se autorët e ngjarjes kanë qenë 4 persona.
Kur pronari Ardjan Gjeloshi ka shkuar në kompani, atentatorët kanë shkuar me një automjet Rang Rover, ngjyre e zezë.
Mjeti është ndaluar tek porta hyrëse e kompanisë së inerteve dhe tre prej autorëve kanë zbritur nga makina dhe të maskuar janë afruar në këmbë drejt godinës së kompanisë.
Kur janë afruar, njëri prej autorëve ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të 51-vjeçarit Gjeloshi, por vetëm dy prej tyre e preken në trup pasi arriti të hynte në zyrë.
Plumbat ranë edhe në trupin e Selman Mihana, i cili në tentativë për të mbrojtur pronarin gjeti vdekjen si pasojë e plagëve të marra.
Pas ngjarjes tre personat e maskuar janë larguar dhe kanë hipur sërish të automjetin Range Rover, ku po i priste personi i katërt i cili kishte rolin e shoferit.
Punonjësit e tjerë që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes kanë dëshmuar se njëri prej autoreve ka folur në gjuhë të huaj.