Atentati në Laç, 40-vjeçari me 4 mbiemra u qëllua me breshëri teksa hynte në banesën e tij

Atentati në Laç, 40-vjeçari me 4 mbiemra…

Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi me armë zjarri i regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjteje në qytetin e Laçit, ku humbi jetën një 40-vjeçar.

Viktima është identifikuar si Ilir Gjini, i njohur edhe me identitetet Ilir Lika, alias Kokaj, dhe alias Nure. Sipas informacioneve paraprake, ai u qëllua me breshëri plumbash teksa po hynte në banesën e tij, në lagjen “Erdogan” të Laçit.

40-vjeçari u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.

Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se rreth orës 22:10 është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit me inicialet I. Gj., alias I. L., alias I. K., alias I. N., rreth 40 vjeç. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.

Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për fiksimin e provave, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin e autorëve.

Deri në këtë fazë të hetimeve, Policia nuk ka bërë të ditur motivet e atentatit, ndërsa hetimet vijojnë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit