Auckland City ndal Boca Juniorsin, me një shqiptar në fushë, barazim historik.

Auckland City ndal Boca Juniorsin, me një…

Skuadra gjysmë-amatore e Auckland City-t ndali Boca Juniors-in me barazim 1-1, duke i dhënë fund pjesëmarrjes së saj me një rezultat befasues

Në stadiumin “Geodis Park” të Nashville, skuadra e vogël e Auckland City arriti një barazim të pabesueshëm ndaj gjigandëve argjentinas të Boca Juniors, në një përballje të vlefshme për Kupën e Botës për Klube. Pas dy humbjeve të turpshme me 16 gola të pësuar, skuadra nga Zelanda e Re u ringrit në mënyrë spektakolare. Regont Murati, futbollisti me origjinë shqiptare, qëndroi në fushë për 54 minuta, për skuadrën australiane.

Boca kaloi e para në avantazh në minutën e 26-të pas një autogoli nga Gaurrou, por reagimi i Auckland ishte i menjëhershëm. Në minutën e 52-të, Christian Gray, një mësues i ri në një shkollë të mesme në Auckland, shënoi me kokë pas një krosimi të Jerson Lagos, i cili në jetën e përditshme punon si berber. Ky gol i dhuroi Aucklandit një pikë që do të mbetet në histori.

Për Boca Juniorsin, barazimi ishte fatal. Skuadra nuk siguroi asnjë fitore në grup dhe eliminohet nga turneu me vetëm dy pikë. Ndërkohë, Auckland City, ndonëse në fund të renditjes me vetëm një pikë, largohet me kokën lart dhe me lavdi në media të mëdha si Radio New Zealand dhe New Zealand Herald, që e quajtën barazimin “mahnitës” dhe “legjendar”.

Përfaqësues të FIFA-s, përfshirë presidentin Gianni Infantino, ndoqën ndeshjen nga tribuna dhe mbetën të kënaqur nga performanca e një skuadre gjysmë-amatore që përbëhet nga tregtarë, arsimtarë, studentë dhe punëtorë të profesioneve të zakonshme.

Christian Gray u shpreh pas ndeshjes se skuadra e tij më në fund fitoi respektin që meritonte: “Ishte një rrugëtim i vështirë, por ia vlejti. Nuk kemi shumë financa dhe mbështetemi te vullnetarët, ndaj ky rezultat është një dhuratë për të gjithë”.

Ndërkohë, në grupin tjetër, Benfica regjistroi një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Bayern Munich-ut, duke siguruar vendin e parë. Golin e vetëm e realizoi Andreas Schjelderupi pas një pasimi të ulët nga Fredrik Aursnesi. Gjermanët, që tashmë ishin të kualifikuar, nuk dhanë maksimumin dhe një gol i Kimmich u anulua për pozicion jashtë loje të Harry Kane-it.

Benfica do të përballet me Chelsean ose Esperance de Tunis në fazën tjetër, ndërsa Bayerni do të ndeshet me liderin e grupit D, Flamengon. Në këtë turne që për herë të fundit përfaqëson Oqeaninë me ekipe amatore, Auckland City mbylli një epokë me një histori që do të kujtohet gjatë në futbollin ndërkombëtar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit