Australia ndalon rrjetet sociale për të miturit nën 16 vjeç, përjashtohet vetëm YouTube

Australia ndalon rrjetet sociale për të miturit…

Në Australi, fëmijët nën moshën 16 vjeç nuk do të kenë më qasje në rrjetet sociale si TikTok, Instagram, Facebook, Snapchat, Reddit dhe X. Qeveria ka finalizuar detajet e zbatimit të një ligji të miratuar nga Parlamenti në nëntor të vitit të kaluar, i cili ndalon përdorimin e këtyre platformave nga të miturit.

Sipas këtij ligji, kompanitë që nuk arrijnë të bllokojnë krijimin apo mbajtjen e llogarive për përdorues nën moshën 16 vjeç, rrezikojnë gjoba deri në 50 milionë dollarë. Ligji parashikon disa përjashtime për shërbimet e mesazheve, lojërat online, si edhe platformat me karakter edukativ apo shëndetësor – mes tyre edhe YouTube dhe Google Classroom.

Qeveria ka mbrojtur vendimin për ta përjashtuar YouTube, duke argumentuar se platforma nuk funksionon si një rrjet social i zakonshëm, por si një mjet edukativ i përdorur nga shkollat, familjet dhe institucionet.

Megjithatë, Komisionerja për Sigurinë Online, Julie Inman Grant, ka kërkuar rishikimin e këtij përjashtimi. Në një letër drejtuar Ministres së Telekomunikacionit, Anika Wells, ajo ka theksuar se përjashtimi i YouTube bie në kundërshtim me qëllimin e ligjit.

“Në kushtet kur ekzistojnë rreziqe të njohura për fëmijët dhe kur platforma ka funksione të ngjashme me rrjetet e tjera sociale, përjashtimi i YouTube nuk ka justifikim të mjaftueshëm dhe bie ndesh me objektivin kryesor të ligjit,” thuhet në deklaratën e komisioneres.

Ndërkohë, gjigantët e tjerë të teknologjisë si Meta (pronar i Facebook dhe Instagram), TikTok dhe Snapchat kanë kritikuar vendimin, duke e cilësuar si të padrejtë, jologjik dhe një favor të madh për Google, pronarin e YouTube.

Ekspertë të shëndetit mendor dhe studiues të ekstremizmit kanë paralajmëruar se algoritmet e YouTube mund të çojnë të miturit lehtësisht drejt përmbajtjeve të rrezikshme, ekstremiste, mizogjene apo të dhunshme. Një test i agjencisë Reuters tregoi se nevojiten vetëm 12 deri në 20 klikime për të mbërritur në video të tilla.

Ministri australian i Shëndetësisë, Mark Butler, deklaroi se qeveria do të marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga Komisionerja për Sigurinë Online gjatë hartimit të rregulloreve për zbatimin e plotë të ligjit.

“Prioriteti ynë kryesor është të mbrojmë fëmijët nga dëmet që vijnë nga përdorimi i pakontrolluar i internetit,” tha Butler. “Jemi vendi i parë në botë që vendos një ndalim të tillë për aksesin e të miturve në rrjetet sociale, dhe ministrat e shëndetësisë në mbarë botën po ndjekin me interes mënyrën se si po e zbatojmë këtë nismë.”

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit