Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të marte në aksin Durrës–Tiranë, në segmentin e rrugës dytësore, pranë QTU-së.
Sipas informacioneve paraprake, një autobus me fëmijë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal. Si pasojë e aksidentit, disa persona kanë mbetur të lënduar.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forca të policisë, ambulanca dhe shërbimi zjarrfikës. Të plagosurit janë transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa ekipet e emergjencës kanë asistuar në nxjerrjen e pasagjerëve nga autobusi.
Shkaqet e aksidentit nuk janë bërë ende të ditura. Dëshmitarë në vendngjarje raportojnë se autobusi ka dalë me shpejtësi nga rruga, ndërsa në vendngjarje është konstatuar edhe një gomë e shkëputur nga mjeti.
Megjithatë, këto rrethana mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht dhe pritet të sqarohen nga hetimet e autoriteteve.