Nga hetimet paraprake për vrasjen e agjentit imobiliar Edmond Sulës dyshohet se autori ka vepruar i vetëm dhe është larguar nga vendi i ngjarjes në këmbë. Kontrolli i kamerave të sigurisë në zonë nuk ka evidentuar përdorimin e ndonjë automjeti për arratisje pas krimit.
Sipas dyshimeve të hetuesve, autori mund të ketë qëndruar i fshehur pas një peme në një zonë me barishte dhe, pasi ka kryer atentatin, është larguar përmes tokave dhe terrenit të pyllëzuar, duke shmangur rrugët dhe zonat e monitoruara nga kamerat. Mendohet se ai e njihte mirë terrenin dhe kishte përzgjedhur me kujdes itinerarin e largimit.
Fakti që nuk është gjetur një automjet i djegur, siç ndodh shpesh në atentatet e dyshuara me pagesë, ka ngritur dyshime te hetuesit se autori mund të mos jetë vrasës me pagesë. Një nga pistat kryesore është se ngjarja mund të lidhet me konflikte të mëparshme që viktima kishte pasur me persona të tjerë.